Mbajtja e maskave mbrojtëse në Kosovë, në çdo ambient jashtë shtëpisë, do të jetë e detyrueshme dhe kushdo që nuk e respekton rregullin do të gjobitet.
Ky vendim u mor të hënën nga qeveria Hoti, si pjesë e shtimit të masave kufizuese për menaxhimin e pandemisë së Covid-19.
Po ashtu qytetarët duhet të respektojnë distancën prej 2 metrash nga njëri-tjetri në të gjithë ambientet publike.
Vendimi detyron të gjitha institucionet publike dhe private që të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme, në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët.
Qeveria ndaloi dhe grumbullimin e më shumë se 5 personave në sheshet publike, parqe dhe vende të ngjashme.
Qytetarët mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike (diabet, hipertensioni arterial dhe sëmundje zemre, sëmundje kronike të mushkërive, pacientët më sëmundje të veshkave, pacientët me imunitet të suprimuar, pacientët onkologjikë etj.) mund të dalin jashtë në ambiente publike vetëm fashat orare: 05:00 deri në orën 10:00 dhe në orët e mbrëmjes nga ora 18:00 deri në orën 21:00.
Një tjetër masë është ndalimi i qarkullimit të banorëve në komunat Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë, nga ora 21:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Përjashtim nga ky vendim janë rastet urgjente shëndetësore.
Më këtë fashë orare do të punojnë dhe qendrat tregare në të gjithë Kosovën.
Ndërsa tregjet publike të automjeteve dhe tregjet e kafshëve do të mbyllen deri në një njoftim të dytë.
Qeveria, po ashtu, ka mbyllur çerdhet publike dhe private; aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë territorin e Kosovës.
Në Kosovë, që prej 13 marsit, e deri më 12 korrik janë regjistruar 4,931 raste me COVID-19. Prej tyre, 102 pacientë kanë vdekur.