Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës iu drejtuan sot shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mbështesin koalicionin shqiptar.
Përmes një deklarate të përbashkët të ministrave Gent Cakaj dhe Glauk Konjufca Shqipëria dhe Kosova:
“[…] nënvizojnë edhe njëherë rëndësinë e mbështetjes së koalicionit të partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës. Ky koalicion është thelbësor për ngritjen e frymës kombëtare dhe ruajtjen e të drejtave politike të shqiptarëve në Luginë. Ndaj, ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për ta mbështetur projektin e Luginës së Bashkuar deri në fund!”
Deklarata u bë pas takimit që dy Ministrat zhvilluan gjatë një konference rreth perspektivës evropiane të organizuar në Selanik të Greqisë.
Pas lehtësimeve që u mundësuan prej Tiranës, partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës kanë arritur marrëveshje për koalicion në zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale që do të zhvillohen në Serbi më 26 prill.
Kjo marrëveshje është përshëndetur edhe nga Presidenti Ilir Meta.
Komuna e Preshevës, krahinë në lindje të Kosovës, mbetet nën territorin serb pavarësisht përpjekjeve për t’u bashkuar me Kosovën përpara dhe pas pavarësisë.
Presheva mendohet të ketë rreth 35 mijë banorë, rreth 90 për qind e së cilëve janë me origjinë shqiptare.
Nga viti 2005 e deri në vitin 2016 komuna është drejtuar nga Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare. Katër vitet e fundit Preshevën e ka drejtuar Shqipërim Arifi, Kryetar i Alternativës për Ndryshim.