Kosova dështoi për herë të katërt të anëtarësohet Organizatën Ndërkombëtare të Policisë e njohur si INTERPOL. Kosova, në dy votime të zhvilluara sot, nuk mundi të marrë dy të tretat e votave të nevojshme për tu anëtarësuar.
Qeveria kosovare shprehu zhgënjimin dhe akuzoi Serbinë për fushatë të egër kundër anëtarësimit të Kosovës:
“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional. Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik.”
Të njëjtin qëndrim mbajti dhe Ambasada Amerikane në Kosovë, e cila përmes një deklarate për shtyp u shpreh:
“Shumica e vendeve e kanë parë këtë gjë dhe e kanë mbështetur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, përkundër fushatës, të udhëhequr nga Serbia, për t’iu bërë presion vendeve për ta kundërshtuar kërkesën e Kosovës.”
Ndërkohë Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e quajti dështimin e Kosovës, fitore për Serbinë.
Në një konferencë për shtyp, direkt pas votimit në INTERPOL, Vuçiç tha se kjo është “fitorja e një vendi të vogël, sfidues dhe krenar, që do të thotë se Serbia ka forcuar pozitën e saj.”
“Serbia nuk është një vend i lehtë për tu mundur, për tu turpëruar dhe shkelur”, vijoi ai më tej.
Kosova ka aplikuar për tu bërë anëtare në INTERPOL katër herë, në vitin 2010, 2015, 2017 dhe sot në 2018-ën.