Qeveri e Kosovës do të miratojë një paketë të re ekonomike me vlerë 182 milionë euro për përballimin e pasojave të Covid-19.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i cili shkruan se kjo paketë do të hyjë në fuqi në 2021.
“Pako e re prej 182 mil eurove, për rimëkëmbje ekonomike!
Përkundër situatës sfiduese në kohën që po përballemi me pandeminë Covid-19, megjithatë kemi siguruar funksionimin e shumicës së bizneseve.
Sot, në takim virtual me anëtarët e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime në Kosovë, i cili ndërlidh aktivitetet e Qeverisë dhe adreson sfidat e sektorit privat, kam kërkuar që anëtarët e këtij këshilli të dakordohen për pakon e re për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021, në shumë prej 182 milionë euro, si dhe për një listë të reformave për një pako të re fiskale, të cilat pritet të finalizohen në fillim të vitit të ardhshëm.”