Qeveria e Kosovës njoftoi miratimin e të ashtuquajturit “Akt i Magnitsky”-it, që ndëshkon shkelësit e të drejtave të njeriut, në përputhje me praktikat që ndjekin SHBA-të që prej vitit 2012.
Lajmi u njoftua në Twitter nga Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli:
“Jam krenar që sot qeveria e Kosovës vendosi të aplikojë sanksionet sipas Ligjit Magnitsky [duke përfshirë] zyrtarët e qeverisë së huaj të përfshirë kudo në botë në shkelje të të drejtave të njeriut në përputhje me praktikën e Departamentit [Amerikan] të Shtetit. Kosova ndërmerr [një] hap strategjik në përafrimin e politikës së saj të jashtme me Shtetet e Bashkuara.
Së bashku me krijimin e Ligjit Kosovar për Magnitsky-in, ne sanksionuam individë që janë përgjegjës për shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut. Akti i Kosovës për Magnitsky është i pari në Evropën Juglindore. Mbetemi shtyllë e orientimit euro-atlantik për rajonin.”
Ligji ose i ashtuquajturi “Akti Magnitsky” u nënshkrua nga Presidenti Barack Obama në vitin 2012. Akti parashikon krijimin e një liste të zezë me persona të cilëve u ndalohet viza dhe u aplikohen sanksione financiare. Kjo u nxit për zyrtarët rusë, të implikuar në vdekjen e avokatit Sergei Magnitsky, më 2009.
Në vitin 2016, projektligji u ndryshua për të autorizuar qeverinë amerikane që ta zbatojë atë globalisht, dhe të sanksionojë shkelësit e të drejtave të njeriut duke i ndaluar ata të hyjnë në vend dhe duke u ngrirë asetet e tyre. Lista e individëve të sanksionuar nga qeveria e Kosovës ende nuk është bërë publike.