Kosova vendos taksa shtesë ndaj mallrave serbë, BE: Po shkelni CEFTA-n

Kosova vendos taksa shtesë ndaj mallrave serbë, BE: Po shkelni CEFTA-n

Një ditë më parë qeveria e Kosovës vendosi që t’u verë taksa shtesë në masën 10 për qind produkteve të Serbisë që hyjnë në Kosovë, si një kundërpërgjigje ndaj “fushatës së egër të Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

Zëvëndëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj u shpreh se kjo masë ekonomike u mor pasi Serbia po lobon kundër Kosovës tek ndërkomëbtarët, me paratë e fituara nga tregtimi i mallrave në Kosovë:

“Qeveria e Serbisë me paratë e fituara në Kosovë, po lobon gjithandej për të dëmtuar shtetësinë e Kosovës. Nuk ka normalizim të marrëdhënieve me Serbinë nëse ajo vazhdon fushatën e saj agresive kundër Kosovës. Masat ekonomike janë vetëm hapi i parë. Nëse Bashkimi Evropian nuk shfrytëzon ndikimin për t’i dhënë fund veprimeve destruktive të Serbisë, ne jemi të detyruar të veprojmë vetë.”

Sipas DeutscheWelle, të dhënat e Odës Ekonomike të Kosovës tregojnë se Serbia eksporton mallra në Kosovë në vlerë prej rreth 400 milionë euro në vit. Përveç mallrave që vijnë nga Serbia, qeveria e Kosovës vendosi taksë shtesë dhe për mallrat e Bosnje-Hercegovinës, pasi kjo e fundit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Serbia e quajti këtë masë si nisje të një “lufte tregtare” dhe zyrtarë të lartë të saj deklaruan se më këtë veprim, qeveria e Kosovës po pamundëson vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi për zgjidhjen e konfliktit.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq deklaroi:

“Askush nuk mund ta ndalojë asnjë qarkullim të mallrave, as rrjedhjen e kapitalit. Duhet ndaluar dhuna ligjore dhe ekonomike e Prishtinës, është e nevojshme që Kosova ta tërheqë vendimin. Qeveria e Serbisë po merr të gjitha masat në CEFTA dhe Komisionin Evropian, për t’i informuar në lidhje me veprimin e Prishtinës.”

Marko Gjuriq shtoi se dialogu mes dy vendeve nuk do të vazhdojë pa u hequr taksa shtesë.

Bashkimi Europian po ashtu, e cilësoi masën e Kosovës si “shkelje e obligimeve të Kosovës sipas marrëveshjes së CEFTA-s” dhe kërkoi shpjegime të mëtejshme nga qeveria kosovare.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq deklaroi:

 “Vendimi i qeverisë së Kosovës minon bashkëpunimin rajonal dhe nuk është në frymën e marrëveshjes së MSA-së. Veprimi i qeverisë së Kosovës është shkelje e obligimeve të Kosovës sipas marrëveshjes së CEFTA-s.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>