Kuvendi i Kosovës ka vendosur se seanca plenare për propozimin e qeverisë së re do të mbahen më 3 shkurt, një ditë përpara përfundimit të mandatit kushtetues për formimin e qeverisë.
Në rast se mes Lëvizjes Vetëvendosja dhe LDK-së nuk ka dakordësi deri më 3 shkurt, Kosova do të shkojë drejtë zgjedhjeve të reja.
Deri më tani nuk ka asnjë lajmërim se mes kreut të VV-së Albin Kurti dhe kreut të LDK-së Isa Mustafa ka marrëveshje për qeverinë e re.
Liderët janë takuar vazhdimisht me njëri-tjetrin, si dhe me ambasadorët e Quint-it dhe përfaqësues të BE-së.
Sipas mediave, posti që po mban pezull marrëveshjen është kryeparlamentari, që tashmë Vetëvendosja e ka zënë me deputetin Glauk Konjufca. Ai u zgjodh në krye të parlamentit më 26 dhjetor 2019 dhe me votat e LDK-së.
Sot i pyetur nga gazetarët nëse do të jepte dorëheqjen për t’i hapur rrugë formimit të koalicionit, Glauk Konjufca u përgjigj:
“Nuk mendoj që në Kosovë është koha e dorëheqjeve, unë mendoj që që është koha e emërimeve.”
Ofertat e ndryshme për të shtuar numrin e ministrive ose për t’i dhënë më shumë ministri LDK-së nuk janë vlerësuar pozitivisht nga LDK-ja. Ndërkohë që ende nuk dihet se çfarë është vendosur për postin e presidentit.