Dy parti në Kosovë u gjobitën të martën me 2 mijë euro gjobë pasi shkelën masat kundër Covid-19 gjatë zhvillimit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit. Konkretisht janë gjobitur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma.
Drejtori i Inspekcionit në Prishtinë, Adonis Tahiri bëri me dije lajmin duke shkruar se janë duke vazhduar vendosjen e gjobave ndaj atyre që nuk respektojnë masat:
“Askush mbi ligjin! Vazhdojmë me shqiptimin e gjobave për subjektet politike që organizojnë tubime në kundërshtim me vendimet qeveritare dhe ligjet në fuqi. Inspekcioni i Rendit Komunal po angazhohet në identifikimin dhe marrjen e masave ndaj secilit subjekt – shkelës të ligjit – brenda territorit të Kryeqytetit”.
Kreu i AAK postoi në Facebook një foto nga takimet ku shihet një grumbullim i madh njerëzish:
“Sot në takim me strukturat e degës së Aleancës në Prishtinë, falenderova të gjithë kandidatët, e në veçanti veteranët e Aleancës, ata që i mbetën besnik gjatë tërë këtyre viteve vizionit dhe programit të saj”.
Dhe kreu i Nismës Fatmir Limaj, postoi të martën po ashtu një foto nga takimet, ku po ashtu ka një numër të madh njerëzish të grumbulluar.
Më herët edhe Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur për shkelje të rregullave kundër Covid-19.
Ndërkohë aktivistë të Partisë Social Demokrate në Kosovë protestuan pak kohë më parë për dy standardet e policisë në Kosovë. Sipas PSD, policia i vendos gjoba qytetarëve kur nuk respektojnë masat anti-Covid, ndërsa partive jo.