Kosovë, gati kthimi i shqiptarëve të zhvendosur pas tërmetit

Kosovë, gati kthimi i shqiptarëve të zhvendosur pas tërmetit

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj njoftoi sot se ka bërë gati transportin e qytetarëve shqiptarë të zhvendosur në Kosovë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Në një status në Facebook, Zoti Haradinaj i kërkoi ndihmë dhe komunave për kthimin e të gjithë qytetarëve në mënyrë të sigurtë:

“Sot kërkojmë që në këtë etapë të rikthimit vullnetarë të përfshihen edhe të gjitha Komunat, ku ka të strehuar, duke vënë në dispozicion mekanizmat e tyre, numër kontakti, Drejtorit e emergjencave dhe transportin.

Secili qytetar, meriton një kthim të dinjitetshëm dhe Institucionet tona e kanë për obligim, ta garantojnë dhe të respektojnë këtë të drejtë.”

Kryeministri tha se Kosova do të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë për të përballuar dëmet e tërmetit:

“Zyra e Kryeministrit, do të jetë në gjendje gatishmërie për çdo kërkesë eventuale të ndihmës, qoftë për Komunat tona, qoftë për autoritetet shqiptare.

Po nesër, të gjitha ndihmat e grumbulluara nga qytetarët tanë në Kazermën e FSK-së në Prizren, do të dërgohen nga Ushtria jonë, në mënyrë institucionale, në depot e rezervave shtetërore të Shqipërisë. Kosova do të vazhdojë të jetë në gjendje gatishmërie, për çdo ndihmë të kërkuar, për popullin e Shqipërisë.”

Pas tërmetit të 26 nëntorit, Kosova ishte shteti i parë që ofroi ndihmë për Shqipërinë. Ajo dhuroi 500 mijë euro dhe dërgoi rreth 120 Forca të Njësisë Speciale të Kosovës për të përballuar situatën në vend.

Po ashtu mijëra shqiptarë të Kosovës u solidarizuan menjëherë dhe dhuruan para, ushqime, e sende të tjera për qytetarë shqiptarë të prekur nga tërmeti.

Qindra prej tyre udhëtuan drejt zonave të prekura nga ku morën rreth 780 qytetarë për t’i strehuar në shtëpitë e tyre deri sa të kalonte rreziku i pas lëkundjeve.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>