Lidhje Demokratike e Kosovës ka nisur punën për formimin e koalicionit qeverisës, nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk propozon një emër të ri për kryeministër.
Sipas gazetës Express, Isa Mustafa, kryetari i LDK-së ka kërkuar miratimin e këshillit të partisë, për të formuar koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Haradinajt, Nismën për Kosovën të Limajt, Aleancën Kosova e Re të Pacollit dhe pakicat.
Këshilli duhet të votojë pro ose kundër kësaj marrëveshjeje deri më 14 prill në orën 16:00.
Pas rrëzimit të qeverisë së koalicionit Vetëvendosje-LDK, presidenti Thaçi i ka kërkuar Kurtit të propozojë një emër të ri për kryeministër dhe të nisë formimin e një qeverie të re.
Por Albin Kurti ka vendosur të mos propozojë emër të ri dhe i ka kërkuar presidentit të zhvillojë zgjedhje të reja.
Në rast se Lëvizja Vetëvendosje nuk i përgjigjet thirrjes së presidentit, atëherë Mustafa tha se këtij të fundit i lind e drejta t’i kërkojë LDK-së, si partie e dytë në zgjedhje, që të propozojë kryeministër dhe qeveri të re:
“Unë kam iniciuar marrjen në parim të pajtueshmërisë nga Këshilli për një koalicion qeverisës me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe partitë e komuniteteve jo shumicë, në rast se pas shterjes së rrugëve kushtetuese me partinë fituese relative të zgjedhjeve, LVV, i ofrohet mandati LDK-së, si pari e dytë.”