Pak orë para heshtjes zgjedhore partitë politike në Kosovë kanë dhënë mesazhet e tyre të fundit për zgjedhjet e 14 shkurtit.
E premtja ishte dita e fundit e fushatës zgjedhore dhe partitë e shfrytëzuan për të thënë fjalët e tyre të fundit.
Exit News sjell më poshtë një përmbledhje të mesazheve të partive kryesore në Kosovë:
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)
Mesazhi i fundit i LDK para zgjedhjeve ishte se kjo parti “ka kulturë demokratike për të respektuar institucionet shtetërore dhe publike e për t’i fuqizuar ato”.
Kryeministri Hoti ftoi qytetarët ta krahasojnë punën e qeverisë së tij me qeverisjet e kaluara dhe shtoi se nën drejtimin e tij, “Kosova u kthye në krye të agjendës amerikane për Ballkanin”
Partia Demokratike e Kosovës (PDK)
Kandidati për kryeministër i PDK, Enver Hoxhaj premtoi fitore.
Në tubimin e fundit ai deklaroi se arrestimi i figurave kryesore të partisë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, nuk e ka ulur popullaritetin e PDK-së por “është kthyer në mbështetje të re politike”.
Hoxhaj shtoi se programi i partisë së tij është i qartë dhe kritikoi punën e qeverisë Hoti për sigurimin e vaksinës COVID-19.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV)
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në tubimin e fundit të mbajtur në Prishtinë, u bëri thirrje qytetarëve të votojnë masivisht.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Vjosa “janë bashkuar kundër korrupsionit, prapambetjes dhe kapjes së shtetit”.
Kurti u shpreh se synon një shumicë të tillë që të mund të formojë i vetëm qeverinë.
Vjosa Osmani u shpreh se më 14 shkurt, do të vuloset “pensionimi politik, i atyre që kanë kapur shtetin dhe kanë dëmtuar çdo qelizë të tij”.
Nisma Socialdemokrate
Nisma e përmbylli fushatën në Prizren ku ka kërkuar mbështetje për kauzën “në mbrojtje të vlerave njerëzore dhe kombëtare”.
Kandidati për kryeministër i Nismës, Fatmir Limaj, i bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për të.
“Ju ftojmë hajde të rreshtohemi si në vitin 98-99. Ashtu siç po rreshtohen bashkëluftëtaret tanë nga anët tjera të Kosovës. Luftëtarët janë ngritë në këmbë që zëri i çlirimtarëve të dëgjohet fort në Parlamentin e Kosovës”, tha Limaj në ditën e fundit të fushatës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
Në përmbyllje të fushatës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kreu i saj, Ramush Haradinaj, tha se vota për AAK-në dhe për të si president “është votë që të kryhen punët e Kosovës duke mos e pyetur Serbinë”.
Haradinaj përsëriti premtimin se nëse Kosova nuk anëtarësohet në NATO dhe Bashkim Evropian deri në vitin 2025, do të bashkohet me Shqipërinë.
“Agjenda kryesore në qeverinë e ardhshme është zhvillimi ekonomik”, tha Haradinaj.
Kosova mban të dielën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Gjatë ditës së shtunë vendi hyn në heshtjen elektorale ku ndalohet propaganda dhe mesazhet e partive politike.