Deputeti Kosta i shkruan Kryeministrit Rama — 5 gjëra që (ri)kuptuam

Nga Neritan Sejamini
Deputeti Kosta i shkruan Kryeministrit Rama — 5 gjëra që (ri)kuptuam

Deputeti socialist Vladimir Kosta ka deklaruar shkëputjen e tij nga grupi parlamentar socialist përmes një letre publike drejtuar Kryeministrit Rama dhe deputetëve socialistë.

 E shkruar me një gjuhë banale, në formën e thashethemeve të kafenesë, ajo dëshmon nivelin mediokër intelektual, politik dhe etik të autorit, por edhe deputetëve tanë në përgjithësi.

Nga ana tjetër ajo shërben si pasqyrë e realitetit politik dhe qeverisës në vend dhe nxjerr në pah disa nga sëmundjet e rënda që kanë mbërthyer sistemin tonë politik.

Përmbajtja e letrës duhet marrë me rezerva, por duke qenë së disa nga akuzat dhe pohimet publike të saj nuk janë përgënjeshtruar nga askush dhe përkojnë me pohime dhe informacione të tjera publike, nga letra mund të nxirren disa konkluzione.

1. Partitë shqiptare janë institucione të kriminalizuara pasi financohen në mënyrë të paligjshme nga burimet gjtihashtu të paligjshme. Zoti Kosta flet për 110 mijë euro me të cilat ai financoi interesat e kryetarit Rama dhe të partisë socialiste në Berat.

 “Për një kërkesë tënden i pagova 110 mijë euro televizionit të atij jevgut të Beratit. Ma kërkove me ngulm në një kafene të Beratit,” shkruan ai.

Financimi është bërë krejtësisht në të zezë—pa u deklaruar nga asnjëra palë, dhënë nën dorë e jo përmes bankës dhe pa paguar asnjë taksë mbi transaksionin. Me shumë gjasa, burimi i parave është i paligjshëm, minimalisht në kuptimin e evazionit fiskal pasi duket se ato nuk kanë qenë deklaruar në zyrat tatimore dhe për to nuk janë paguar taksat.

Partitë politike janë ndoshta organizatat më të korruptura dhe të kriminalizuara në vend pasi në to kanalizohen para kriminale të cilat, gjithashtu, përdoren në mënyrë të paligjshme. Ky lloj sistemi i paligjshëm pastaj shtrihet në marrëdhëniet e partive me ofruesit e shërbimeve të tyre, të cilat bëhën pa u deklaruar dhe faturuar ligjërisht. Mjafton t’u hedhësh një sy deklarimeve të partive politike në Komisionin e Zgjedhjeve për të kuptuar se ato deklarojnë vetëm një përqindje të vogël të parave dhe njerëzve që financojnë aktivitetin e tyre.

Financimi i paligjshëm i partive politike është, ndoshta, burimi kryesor i korrupsionit dhe klientelizmit kur partitë janë në qeveri, pasi ato duhet t’i kthejnë favoret me kontrata dhe përfitime publike. Është e qartë që futja e biznesmenëve dhe kriminelëve në politikë është bërë përmes blerjes faktike të kandidimit: duke dhënë para për financimin e partisë dhe drejtuesve të saj, sikurse edhe për financimin e fushatave individuale pa patur nevojë për mbështetje nga buxheti qëndror partiak, sikurse edhe për financimin e blerjes së votave.

2. Futja e biznesmenëve dhe kriminelëve në politikë duket se është bërë përmes blerjes së kandidimit: duke financuar partinë dhe drejtuesit e saj, sikurse edhe financimin e fushatave individuale pa kërkuar mbështetje nga buxheti qendror partiak.

Është e qartë se Zoti Kosta nuk duket të ketë as aftësitë minimale intelektuale apo profesionale, as përvojë politike, as ndonjë lidhje të fortë me qytetarët e zonës ku u kandidua dhe u zgjodh dhe as ndonjë meritë tjetër të dukshme për të justifikuar përfshirjen e tij në një vend të sigurtë në listën elektorale të PS-së. E vetmja arsye duket se ka qenë paraja e tij.

Në fakt, diskutohet prej kohësh se një pjesë e madhe e deputetëve socialistë e kanë siguruar kandidimin e tyre me para—duke financuar direkt apo indirekt fushatën e PS-së ose jetën politike e private të Kryetarit Rama gjatë qëndrimit të tij në opozitë. Natyrisht kjo dukuri nuk është e kufizuar vetëm tek Partia Socialiste.

Natyrisht, blerja e vendit të deputetit bëhet për të mbrojtur interesa biznesi apo kriminale apo për të siguruar disa herë më shumë para përmes favoreve klienteliste mbas ardhjes së partisë në pushtet. Ka qenë pikërisht mospërmbushja e kësaj pritshmërie për fitime, ndërkohë që Zoti Rama ka favorizuar biznesmenëve të tjerë, shkaku kryesor i pakënaqësisë dhe divorcit të deputetit Kosta me Zotin Rama.

3. Mediat kontrollohen nga politika përmes financimeve direkte dhe favoreve në biznes. Letra e Zotit Kosta zbulon se Zoti Rama ka “blerë”, me 110 mijë euro nga paratë e Zotit Kosta mbështetjen e një televizioni lokal në Berat—një zonë përgjithësisht socialiste, pa shumë konkurrencë nga kundërshtarët e tjerë politike.

Veç mund të merret me mend sa para mund të jetë kanalizuar në televizonet e rëndësishme kombëtare me ndikim shumë herë më të madh në opinionin publik.

Marrëdhëniet klienteliste të pushtetit me mediat është një nga gangrenat që ka kalbëzuar sistemin politik dhe ekonomik në vend. Pagesa për reklama të panevojshme, koncesione, leje ndërtimi, tjetërsim të tokave dhe pronave publike, emërime klienteliste, tolerim të aktiviteteve kriminale—janë mënyrat si politika i ble mediat duke i kthyer ato në mjete propagande dhe të manipulimit të publikut.

Zoti Kosta është thjesht i pari që e pranon hapur blerjen e mediave.

 4. Kryeministri Rama sundon në mënyrë autokratike PS-në dhe qeverinë. Marrëveshjet partiake, përzgjedhja e kandidaturave për poste politike dhe, në përgjithësi, e gjithë vendim-marrja partiake dhe politike në PS duket e përqendruar në duart e Zotit Rama dhe një grushti të ngushtë njerëzish, duke injoruar organet partiake dhe deputetët.

Zoti Kosta ka pritur që si deputet do të ishte pjesë e vendim-marrjes partiake dhe shtetërore, dhe kur ka parë që kjo vendim-marrje është ekskluzivitet i Zotit Rama dhe disa individëve të preferuar prej tij është ndjerë i anashkaluar dhe i papërfillur. Nëse ka një gjë të qartë letra e tij, ajo është mllefi ndaj Zotit Rama dhe njerëzit që Zoti Kosta i percepton si të afërm me Zotin Rama, në kurriz të tij.

Ajo që Zoti Kosta nuk e kupton është që në fakt ai vetë është produkt i kësaj metode qeverisje të Zotit Rama: sikur përzgjedhja e kandidaturave për deputet brenda PS-së do të bëhej në mënyrë demokratike, Zoti Kosta nuk do të mund të ishte deputet.

Natyrisht, edhe kjo dukuri është e pranishme në të gjitha partitë politike në vend. Autokracia partiake çon në autokraci qeverisëse, e cila është shkaku kryesor i mungesës së demokracisë dhe zhvillimit të vendit.

5. Administrata publike është e kontrolluar nga politika dhe shërben për shpërblimin e militantëve dhe klientëve. Në letrën e tij, Zoti Kosta i referohet rastit të një të afërti të tij të pushuar nga puna si pasojë e konfliktit të tij me Ministrin e Financave.

Por kjo nuk është hera e parë që bëhen publike fakte rreth punësimeve militante dhe klienteliste në administratën publike. Ish-deputeti Koço Kokëdhima pranoi publikisht para pak kohe se ai kishte emëruar në krye të tatimeve të Sarandës një person të afërt me të. Vitet e fundit, disa media kanë publikuar lista të gjata emërimesh në administratën publike të mbështetësve dhe të afërmeve të deputetëve socialistë, me ndërhyrjen e këtyre të fundit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>