KPA gjen shkelje në vendimin e KPK, por shkarkon gjyqtarin Lazaj

KPA gjen shkelje në vendimin e KPK, por shkarkon gjyqtarin Lazaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot shkarkimin përfundimtar nga detyra të gjyqtarit të Tiranës, Artan Lazaj.

Megjithëse gjeti shkelje në procesin e kryer më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPA sërish mori të njejtin vendim si KKP-ja: të shkarkojë Artan Lazajn për mosjustifikim të pasurisë.

Procesi në KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi gjyqtarin Lazaj, më 11 korrik 2018, për mosjustifikim dhe deklarim të rremë të pasurisë. Trupa e KPK-së, e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici, gjeti një sërë shkeljesh në deklarimin e pasurisë së zotit Lazaj, ndër të tjera:

 – Lazaj nuk kishte deklaruar 4.9 milionë lekë të shpenzuara në vitin 2009 dhe 50 mijë euro në vitin 2010, të paguara tek një firmë ndërtimi, për të cilat gjyqtari nuk kishte burime financiare të ligjshme.

 – Lazaj deklaroi dy herë shitjen e një apartamenti 90 mijë euro, për të cilën kishte bërë kontratë fiktive shitje e blerje.

 – Lazaj kishte bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në lidhje me çmimin e blerjes së një apartamenti, në vitin 2004.

 – Lazaj kishte bërë deklarim të paplotë dhe të rremë për vitet 2015, 2016 dhe 2017.

 – Lazaj nuk kishte plotësuar saktë Deklaratën e pasurisë-Vetting, duke lënë herë pas here bosh pjesën ku duhej të paraqitej burimi për pasurinë e krijuar dhe në disa raste duke bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe në mospërputhje me deklaratat periodike.

Për këto shkelje, KPK vendosi shkarkimin e gjyqtarit Lazaj.

Kundërshtimet e gjyqtarit Lazaj

Që në fillim të procesit të hetimit, Gjyqtari Lazaj kundërshtoi vendimin e KPK-së për të bërë hetime vetëm lidhur me pasurinë e gjyqtarit, duke përjashtuar dy kriteret e tjera: atë të figurës dhe profesionalizmit.

Lazaj dhe avokati i tij Sokol Hazizaj kërkuan ta rrëzonin këtë vendim, por KPK nuk e pranoi kërkesën, si  të pambështetur në ligj. Pas këtij vendimi, Lazaj kërkoi përjashtimin nga trupi gjykues të kryesueses, Brunilda Bekteshi, me argumentin e ‘konfliktit të interesit’, pasi gjatë kohës që Bekteshi ka punuar si avokate, kishte kërkuar përjashtimin e Lazajt nga një trup gjykues.

Edhe kjo kërkesë u kundërshtua nga KPK, e cila i interpretoi kërkesat e Lazajt si tentativë për të zvarritur procesin e vetingut.

Më 11 korrik 2018, KPK vendosi shkarkimin e Lazajt, vendim që u kundërshtua nga gjyqtari dhe avokati i tij.

Apelimi në KPA

Lazaj e apeloi vendimin e shkarkimit të KPK-së në Kolegjin e Pavarur të Apelimit, duke pretenduar shkelje të të drejtës së tij për gjykim të drejtë nga një gjykatë e paanshme, siç parashikohet në nenin 6/1, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Në seancën e 28 janarit, me KPA-në, Lazaj tha se vendimi i KPK-së është i njëanshëm dhe është marrë me ‘dashakeqësi’.

Sot, në seancën për marrjen e vendimit, KPA njoftoi se KPK ka shkelur rregullat kur nuk ka pranuar të largojë Brunilda Bekteshin nga trupi gjykues dhe për këtë arsye vendimi i KPK-së u shfuqizua. Por hetimi i pasurisë së Lazajt, bërë sërish nga KPA, nxorri sërish probleme me deklarimin dhe justifikimin e pasurisë. Për këtë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e gjyqtarit Lazaj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>