Më 6 maj, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të mbyllë procesin hetimor ndaj Prokurores Rovena Gashi dhe të shpallë vendimin përfundimtar në 29 maj. Seanca u zhvillua pa praninë e Zonjës Gashi, e cila u largua nga salla pasi trupa gjykuese e KPA-së rrëzoi kërkesën e Zonjës Gashi për t’u mbrojtur nga e motra, si dhe i mohoi të drejtën për caktimin e një mbrojtësi tjetër.
Në një njoftim për shtyp, KPA njoftoi se Rovena Gashi nuk ka nevojë për ndihmës ligjor, pasi ajo është një zyrtare me nivel të lartë profesional dhe ka zotësi për të vepruar e vetme:
“Subjekti i rivlerësimit [Rovena Gashi] është në kategorinë e personave të cilët kanë zotësi të plotë për të vepruar, pra, mund t’i kryejnë vetë të gjitha veprimet procedurale, përveçse kur ligji parashikon ndryshe. Subjekti i rivlerësimit, në vlerësimin e trupit gjykues, nuk është në kategorinë e subjekteve që ka nevojë për t’u mbrojtur me përfaqësues ligjor të caktuar nga shteti. Në këto kushte, trupi gjykues çmon se nuk pranon kërkesën e sotme të subjektit të rivlerësimit për t’u përfaqësuar në këtë proces nga znj. Ema Gashi, e cila është ende gjyqtare në rrethin gjyqësor Durrës.”
Trupa gjykuese e KPA-së me këtë vendim i mohoi Zonjës Gashi të drejtën për të pasur një proces të rregullt dhe të drejtë ligjor. Ky vendim bie ndesh me të drejtën për të pasur një proces të rregullt dhe të drejtë ligjor, e drejtë e parashikuar në nenin 42, pika b, të Kushtetutës:
“Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.”
Në nenin 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut:
“Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij.”
Në nenin 47 të Ligjit Nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” parashikon se:
“Të drejtat e subjektit të rivlerësimit gjatë procesit të rivlerësimit rregullohen sipas përcaktimeve të neneve 35 – 40 dhe neneve 45 – 47 të Kodit të Procedurave Administrative.”
Nenet 45 – 47 të Kodit të Procedurës Administrative parashikojnë se pala gjatë seancës mund të zgjedhë t’i bëjë vetë të gjitha veprimet, ose të ketë një përfaqësues apo ndihmës – ajo që ka kërkuar ish-prokurorja Gashi.
Gjithashtu, KPA-ja nuk e pranoi as kërkesën e Rovena Gashit për t’u ndihmuar nga e motra, duke argumentuar se “Ema Gashi nuk mund të shërbejë si ndihmëse ligjore pasi është ende gjyqtare në gjykatën e Durrësit, edhe pse ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Dorëheqja e gjyqtares Gashi ende nuk është shqyrtuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ndaj ajo vazhdon ende të jetë gjyqtare”.
Sipas KPA-së, kjo kërkesë e Rovena Gashit është në kundërshtim të hapur me nenin 96, pika ç të Kodit të Procedurës Civile, që parashikon se “gjyqtarët nuk mund të jenë përfaqësues të palëve” gjatë një procesi gjyqësor.