
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të hënën konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës Administrative Gjirokastër, Ramiz Lala.
Trupi gjykues, i përbërë nga kryesuesi Sokol Çomo, relatori Ardian Hajdari dhe anëtarët Ina Rama, Natasha Mulaj eRezarta Schuetz, mori në shqyrtim ankimimin e Komisionerit Publik në lidhje me deklaratën financiare dhe dy vendimmarrje të gjyqëtarit Lala.
Sipas një raportimi nga Reporter.al, Çomo vlerësoi se as mungesat financiare, as problemet në kriterin e profesionalizmit, nuk ishin të atilla që të justifikonin shkarkimin.
Gjyqtari rezultoi “i besueshëm në të tri kriteret”, edhe pasi, në seancën e fundit, Komisioneri Publik Ballhysa pranoi se, pas hetimit, nuk u gjetën probleme.
Ramiz Lala u konfirmua në detyrë më 26 korrik 2019 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas hetimit mbi tre kriteret e rivlerësimit të figurës së magjistratëve.