Kolegji i Posaçëm i Apelimit përfundoi hetimin për ish gjyqtarin e Apelit, Alaudin Malaj të mërkurën.
Gjatë seancës, Malaj kërkoi që KPA të dërgonte në Gjykatën Kushtetuese ligjin e rivlerësimit, kërkesë, e cila u hodh poshtë nga KPA.
Seanca për pretendimet përfundimtare do të jetë në 23 shkurt ora 9:00.
Më herët, Malaj kërkoi ndryshimin e trupës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, e cila po gjykon përjashtimin e tij për 15 vite nga sistemi i drejtësisë.
Ish gjyqtari Malaj ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të KPK-së për përjashtimin e tij nga sistemi për 15 vite.
Në 27 korrik 2020 Alaudin Malaj dha dorëheqjen gjatë procesit të kryerjes së rivlerësimit të figurës nga KPK që nga viti 2018.
Në 16 shtator, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procesin e vetingut për Malajn pas dorëheqjes.
Alaudin Malaj është gjyqtari që bëri publik vendimin e dënimit të Geron Xhafajt, vëllait të ish-Ministrit të Brendshëm.
Gjithashtu, Malaj ishte një nga 5 anëtarët e trupit gjykues që dhanë pafajësi për të gjithë anëtarët e organizatës “Hakmarrja për drejtësi”. Madje në 2017, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi hetimin ndaj 5 gjyqtarëve të Apelit të Krimeve të Rënda, me kërkesë të ish-presidentit Bujar Nishani.