Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi kërkesën e prokurores Donika Prela për përjashtimin nga trupa gjykuese të Natasha Mulajt dhe Ina Ramës.
KPA e gjeti të pabazuar argumentimin e Prelës së prania e dy anëtarëve të mësipërme ishte në konflikt interesi.
Më herët Prela kërkoi largimin e Mulajt dhe Ramës pasi mund ta paragjykojnë Prelën gjatë gjykimit.
Shkak për këtë kërkesë u bë një hetim që Preka ka bërë për mbesën e Ramës, sekretare në Gjykatën e Durrësit dhe hetimet për vëllezërit e Mulajt.
Ndërkohë gjatë seancës së zhvilluar të enjten, Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin e Prelës duke theksuar se kërkesa e saj për përjashtimin e Mulajt dhe Ramës ishte për të zvarritur procesin.
Prela u konfirmua në detyrë nga shkalla e parë e vetingut, në një nga vendimet më të debatueshme të KPK-së.
Sikurse doli gjatë hetimit të vetingut, Donika Prela ka kryer, me shumë gjasa, evazion fiskal, duke mos paguar taksa për të ardhurat, ka kryer transaksione të dyshimta financiare, me gjasa të paligjshme, duke marrë disa herë hua pa kontratë, me para në dorë dhe nga njerëz që nuk i justifikojnë paratë, ka blerë dy apartamente nën çmimin e tregut dhe i ka shitur me fitim, për të cilin nuk ka paguar asnjëherë taksa.
Në prill 2019, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e saj. Sipas apelimit, Prela nuk arrin nivel të besueshëm kryesisht në kriterin e pasurisë.