Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) shkarkoi nga detyra prokuroren dhe anëtaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) Antoneta Sevdari.
Zonja Sevdari nuk arriti të justifikonte pasurinë e saj dhe të bashkëshortit .
Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të zonjës Sevdari, u apelua nga komisioneri publik Dariel Sina. Dy ishin problemet kryesore që Komisioneri Publik vërejti në deklaratat e pasurisë së Sevdarit:
– Sevdari nuk ka paraqitur dokumentet për një shumë prej 3 milionë lekësh të përfituar nga bshkëshorti i saj, para vitit 2003.
– Bashkëshorti i prokurores nuk ka deklaruar dhe paguar taksat për 12 mijë euro të fituara në Arabinë Saudite.
Prokurorja Sevdari i kundërshtoi gjetjet e Komisionerit Publik duke u shprehur se 3 milionë lekët e përfituara nga puna e bashkëshortit para martesës ishin të ligjshme. Ndërsa për paratë e fituara në Arabinë Saudite, Sevdari tha se në atë kohë nuk ishte në fuqi deklarata integrale e të ardhurave aktuale, ndaj ajo dhe bashkëshorti i saj nuk kanë shkelur asnjë ligj.
Me shkarkimin e Sevdarit, KLP mbetet me një vend vakant.Tashmë do duhet që të rinisin procedurat për zëvendësimin e zonjës Sevdari.
Së pari duhet të hapet thirrja nga Prokurori i Përgjithshëm .
Brenda 15 ditëve nga hapja e thirrjes duhet që prokurorët të shprehin interesin dhe të dorëzojnë dokumentacionin e përcaktuar në ligjin “Për organet e drejtësisë”. Me mbarimin e afatit të përcaktuar duhet brenda 7 ditëve Prokurori i Përgjithshëm verifikon kushtet ligjore dhe listën me kandidatët që plotësojnë kushtet ja dërgon KPK.
Brenda 3 muajve nga data e shprehjes së interesit KPK bën rivlerësimin e kandidatëve.
Me mbarimin e procesit të rivlerësimit të të gjithë kandidatëve KPK i përcjell emrat që e kanë kaluar me sukses procesin Prokurorit të Përgjithshëm.
Brenda 3 ditëve nga marrja e listës Prokurori i Përgjithshëm thërret Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve ku do të votojnë për prokurorin që do të zëvendësojë zonjën Sevdari në KLP.