KPA shkarkon anëtaren e KLP Antoneta Sevdarin

KPA shkarkon anëtaren e KLP Antoneta Sevdarin

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) shkarkoi nga detyra prokuroren dhe anëtaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP)  Antoneta Sevdari.

Zonja Sevdari nuk arriti të justifikonte pasurinë e saj dhe të bashkëshortit .

Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të zonjës Sevdari, u apelua nga komisioneri publik Dariel Sina. Dy ishin problemet kryesore që Komisioneri Publik vërejti  në deklaratat e pasurisë së Sevdarit:

– Sevdari nuk ka paraqitur dokumentet për një shumë prej 3 milionë lekësh të përfituar nga bshkëshorti i saj, para vitit 2003.

– Bashkëshorti i prokurores nuk ka deklaruar dhe paguar taksat për 12 mijë euro të fituara në Arabinë Saudite.

Prokurorja Sevdari i kundërshtoi gjetjet e Komisionerit Publik duke u shprehur se 3 milionë lekët e përfituara nga puna e bashkëshortit para martesës ishin të ligjshme. Ndërsa për paratë e fituara në Arabinë Saudite, Sevdari tha se në atë kohë nuk ishte në fuqi deklarata integrale e të ardhurave aktuale, ndaj ajo dhe bashkëshorti i saj nuk kanë shkelur asnjë ligj.

Me shkarkimin e Sevdarit, KLP mbetet me një vend vakant.Tashmë do duhet që të rinisin procedurat për zëvendësimin e zonjës Sevdari.

Së pari duhet të hapet thirrja nga Prokurori i Përgjithshëm .

Brenda 15 ditëve nga hapja e thirrjes duhet që prokurorët të shprehin interesin dhe të dorëzojnë dokumentacionin e përcaktuar në ligjin “Për organet e drejtësisë”. Me mbarimin e afatit të përcaktuar duhet brenda 7 ditëve Prokurori i Përgjithshëm verifikon kushtet ligjore dhe listën me kandidatët që plotësojnë kushtet ja dërgon KPK.

Brenda 3 muajve nga data e shprehjes së interesit KPK bën rivlerësimin e kandidatëve.

Me mbarimin e procesit të rivlerësimit të të gjithë kandidatëve KPK i përcjell emrat që e kanë kaluar me sukses procesin Prokurorit të Përgjithshëm.

Brenda 3 ditëve nga marrja e listës Prokurori i Përgjithshëm thërret Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve ku do të votojnë për prokurorin që do të zëvendësojë zonjën Sevdari në KLP.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>