Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shtyrë me 5 ditë seancën e shqyrtimit të kërkesës së Komisionerit Publik për shkarkimin nga detyra të prokurores Manjola Kajana, kandidate për në SPAK.
Shkak për këtë shtyrje është bërë fakti se Bashkia Fier nuk ka i ka dorëzuar KPA-së dosjen e plotë të bashkëshortit të Kajanës, i cili ka aplikuar si i pastrehë për të përfituar kredi të butë nga bashkia në vitin 2012.
Në këtë periudhë prokurorja Kajana ka punuar në Fier dhe ka pasur nën hetim ish-kryebashkiaku Baftjar Zeqaj dhe zyrtarë të tjerë pikërisht për abuzime të dyshuara në dhënien e kredive të buta për familjet e pastreha.
Komisioneri Publik dyshon se bashkëshorti i Kajanës ka përfituar kredinë e butë nga bashkia me favorizime nga ana e bashkisë.
Manjola Kajana u konfirmua në detyrë më 18 qershor 2019, nga trupa e KPK-së e përbërë nga Olsi Komici, Brunilda Bekteshi dhe Lulzim Hamitaj.
Në gusht 2019, KP kërkoi shkarkimin nga detyra të Kajanës, me pretendimin se në fazën e parë të vetingut nuk është bërë hetim i plotë për pasurinë e saj.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë e ka renditur Manjola Kajanën të tetën në listën me 15 kandidatë për në SPAK.