Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka pranuar kërkesën e ish-gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Evelina Qirjako, për të administruar si provë vendimin e Apelit Administrativ në procesin e saj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Qirjako paditi Këshillin e Lartë Gjyqësor për shkak se i ka hequr statusin e magjistrantes pas dorëheqjes së saj. Qirjako dha dorëheqjen nga Gjykata e Lartë pas përfundimit të mandatit të saj në vitin 2016.
Për këtë arsye KLGJ në prill të 2019 vendosi të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për Qirjakon pasi ajo kishte refuzuar caktimin në një pozicion në apel si gjyqtare.
Në korrik të 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ndërprerjen e procesit të vetingut për Qirjakon pasi kishte dhënë dorëheqjen nga detyra.
Gjithashtu KPK vendosi që Qirjako nuk do të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë për 15 vjet.
Këtë vendim, ish-gjyqtarja e ankimoi në KPA dhe paralelisht hapi në Apelin Admininstrativ një proces kundër vendimit të KLGJ-së që i hoqi asaj statusin e magjistrates.
Ajo ka kërkuar nga KPA shtyrjen e gjykimit deri në një vendim të Gjykatës të Apelit Administrativ pasi pretendon se vendimi i KPK bazohet vetëm në vendimmarrjen e KLGJ-së.
Kolegji vendosi me shumicë votash të pranojë kërkesën e Qirjakos dhe njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më datë 3 shkurt, ndërsa çështja në Apelin Administrativ pritet të vendoset më 26 janar.
Më herët të njëjtin pretendim ka ngritur dhe ish anëtarja e GJL, Arjana Fullani.