KPK i kërkon parlamentin punonjës shtesë për shkak të ngarkesës së lartë të punës

KPK i kërkon parlamentin punonjës shtesë për shkak të ngarkesës së lartë të punës

Siç Exit.al ka raportuar në muajt e fundit, mungesa e financimit dhe e personelit në institucionet e vetingut ka filluar të ndikojë jo vetëm në shpejtësinë e procedurave të vetingut, por edhe në cilësinë e tyre, ku vihen re dhe gabime “trashanike”.

Gjatë seancës së ardhshme plenare, më 4 tetor, Parlamenti pritet të diskutojë kërkesën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve (KPK)për rritje të stafit.

Në një letër të datës 20 shtator, kryesuesja e KPK-së, Genta Tafa, i kërkon parlamentit të shtojë numrin e punonjësve me 8 këshilltarë ekonomikë, 2 specialistë të sekretariatit të gjykatës, 2 përkthyes, 2 arkivistë, një punonjëse pastrimi dhe një specialist të prokurimit publik.

Sipas sqarimit që bën Tafa për këtë kërkesë, këshilltarët ekonomikë janë të nevojshëm që secili prej 12 këshilltarëve ligjorë të mund të punojë me një këshilltar ekonomik. Aktualisht, janë vetëm 4 këshilltarë ekonomikë, të cilët punojnë me të paktën 3 dosje vetingu, pra mbulojnë 3-fishin e punës, në të njëjtën kohë.

Zonja Tafa e shpjegon kërkesën për staf kështu:

“Këto janë rezulatatet e një ngarkese të madhe për Komisionin, por duhet marrë parasysh gjithshtu se kur u miratua në Kuvend Vendimi nr.93/2017, ne nuk e kishim ende të qartë volumin dhe intensitetin e punës.”

Kjo deklaratë e Zonjës Tafa vlen të përmendet po të kemi parasysh faktin se ekspertët vendas dhe të huaj, në të vërtetë, kanë bërë studime mbi sasinë e fondeve dhe personelit të nevojshëm për institucionet e vetingut, por ishte shumica socialiste ajo që përmes vendimit 93/2017, miratoi vetëm 60 për qind të punonjësve të kërkuar.

Ndërsa në shtator 2017, Natasha Mulaj, kryetare e Kolegjit të Posaçëm të Apelit, në seancën dëgjimore të Komisionit për Çështjet Ligjore, deklaroi se në institucionet e vetingut nevojiteshin 185 punonjës. Shumica socialiste miratoi një strukturë me vetëm 110 punonjës.

Pra, ngarkesa aktuale e punës ishte parashikuar me saktësi, por ishte qeveria ajo që zgjodhi të injorojë kërkesat, duke ngadalësuar kështu procesin e vetingut.

Ndërkohë Komisionerët Publikë Florian Ballhysa dhe Daniel Sina kanë kërkuar me anë të një kërkese të veçantë, 5 punonjës shtesë (aktualisht janë 8 punonjës), për të trajtuar numrin e lartë të ankesave që janë paraqitur në KPA.

Këto 21 punonjës shtesë të kërkuar nga Tafa, Ballhysa dhe Sina janë prapë 54 punonjës më pak nga sa kishte parashikuar komisioni i ekspertëve në vitin 2017.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>