Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të premten nga detyra prokurorin e Sarandës, Sali Hasa, i cili ndodhet në masën “arrest me burg”, pasi po hetohet nga SPAK për korrupsion.
Hasa u pezullua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP më 22 qershor, pas arrestimit nga SPAK.
Sipas hetimeve të kësaj të fundit, ai nuk ka ndjekur penalisht Emiliano Miranin, një person të akuzuar për plagosje dhe armëmbajtje pa leje.
Po ashtu, në dosjen e prokurorisë, Hasa është fotografuar me një familjarë të të akuzuarit.
Policia arrestoi për të njëjtin rast edhe oficerin e policisë gjyqësore, Napoleon Hodaj, i cili në bashkëpunim me ish-ekspertin e Policisë gjyqësore shpëtuan Miranin nga akuzat.