
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjyqtaren e Fierit, Marsela Dervishi.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Xhensila Pine, Firdes Shuli dhe Olsi Komici.
Gjyqtarja Dervishi u vlerësua pozitivisht për të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin. Gjatë seancës dëgjimore të martën, KPK evidentoi ankesa për vonesa e zvarritje të proceseve, gjetje të cilat u kundërshtuan nga gjyqtarja Dervishi.
Marsela Dervishi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2012 dhe pas një periudhe stazhi në Tiranë, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Fierit. Aktualisht, ajo është kandidate për t’u promovuar në Apel, pas shpalljes së vendeve vakante nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.