
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Lulzim Hamitaj.
Gjatë hetimit KPK konstatoi probleme me pasurinë e subjektit që lidheshin me pamundësi financiare për dy këste kredie për financimin e një apartamenti në qytetin bregdetar të Vlorës.
Ndërkohë që DSIK kishte referuar disa çështje ku Ngresi kishte lehtësuar masën e sigurisë në njërën prej tyre. Ndërkohë në një çështje tjetër Gjykata e Lartë kishte prishur vendimin e Apelit të Vlorës ku Ngresi ishte pjesë e trupit gjykues.
KPK hodhi poshtë gjetjet e DSIK.
Ndëkohë Ngresi u vlerësua pozitivisht për sa i përket profesionalitetit.
Sokol Ngresi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve 2000 dhe e ushtron funksionin si gjyqtar i Gjykatës së Apelit Vlorë prej vitit 2005. Në vitin 2014, ai u dekretua nga presidenti Bujar Nishani si anëtar i Gjykatës së Lartë, por ky vendim nuk mori pëlqimin e mazhorancës në Kuvend.
Aktualisht, Ngresi është kandidat për Gjykatën e Lartë në procesin që po zhvillohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.