Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit konfirmoi, të mërkurën, në detyrë prokurorin e Apelit në Durrës, Moisi Duda.
Vendimi për Dudën u mor nga Olsi Komici, Brunilda Bekteshi dhe Xhensila Pine.
Procesi ndaj prokurorit ka zgjatur më shumë se zakonisht, pasi për Dudën janë zhvilluar katër seanca dëgjimore me KPK-në.
KPK nuk gjeti probleme në profesionalizmin dhe figurën e prokurorit.
Ndërsa lidhur me kriterin e pasurisë, KPK i kërkoi Dudës dokumente shtesë për pjesën e tij të pronësisë në një apartament, 23 metra katorë, të cilën prokurori më pas e ka shitur.
Fillimisht ai nuk kishte paraqitur dokumentet që vërtetonin pronësinë dhe as shitjen e pasurisë. Më pas prokurori i dorëzoi dokumentet në KPK.
KPK gjeti dhe disa parregullsi në deklarimin e parave cash ndër vite. Duda u mbrojt duke thënë se ajo që ai kishte deklaruar në deklaratat vjetore si pakësim i gjendjes cash, ishte në fakt trasferimi i parave nga shtëpia në llogari bankare.
Pas dokumenteve shtesë dhe shpjegimeve të Dudës, KPK vendosi konfirmimin e tij në detyrë.