Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mohoi marrjen në pyetje të fëmijëve minorenë të prokurorëve dhe gjykatësve në kuadër të procesit të vetingut.
Në përgjigje të një artikulli të Exit.al të dy ditëve më parë, KPK shkruan në një njoftim për median:
“Duke marrë shkas nga disa lajme të pavërteta të publikuara në media, mbi kontrollin fizik të fëmijëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dëshiron të sqarojë opinionin publik, por edhe vetë subjektet e rivlerësimit:
Nga ky organ kushtetues nuk është ndërmarrë asnjëherë kontroll fizik për veshjet e fëmijëve të subjekteve të rivlerësimit dhe as nuk janë pyetur në lidhje me jetesën e tyre.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit funksionon në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionit përkatës, duke e zbatuar rigorozisht atë.
Në këtë kuadër, me përgjegjësi të plotë garantojmë se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka cenuar dhe nuk do të cenojë asnjëherë të drejtat e njeriut dhe, aq më tepër, të drejtat e fëmijëve.
Mediat janë partneri ynë kryesor në respekt të transparencës dhe informimit me korrektësi e vërtetësi të publikut dhe çdo keqinformim do të ndikonte në besueshmërinë e një procesi jetik për Shqipërinë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbetet i angazhuar për të ushtruar me paanshmëri, profesionalizëm dhe gjithnjë në respekt të ligjit funksionet e tij, me qëllim kryesor rikthimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.”