Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procesin e vetingut për gjyqtarin e Tiranës, Ibrahim Hoxha pasi është shkarkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Vendimi u mor nga Etleda Çiftja, Suela Zhegu dhe Olsi Komici.
Hoxha është i dënuar për korrupsion nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 2 vjet burg në 2017. Ai u akuzua se kishte përfituar 600 mijë lekë rryshfet për një vendim gjyqësor, ndërsa djali i tij u dënua për moskallëzim krimi.
Në dhjetor 2013, ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço i kërkoi ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD shkarkimin e Hoxhës nga detyra, për shkak të një vendimi të dhënë prej tij për moslejimin e ekstradimit drejt Italisë të Paro Laçit, një ish-aksioner i skuadrës së futbollit partizani, i kërkuar nga drejtësia italiane.