Prokurorja Fatjona Memçaj duket se nuk ka parregullsi në deklarimin e pasurisë së saj, bërë në kuadër të procesit të vetingut.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) që zhvilloi sot seancë dëgjimore me Zonjën Memçaj, raportuan se pasuria e prokurores është vënë në rrugë të ligjshme, dhe se ajo nuk ka bërë deklarim të rremë apo fshehje të pasurisë.
Relatoi i KPK-së Roland Ilia, në fund të seancës deklaroi:
“Prokurorja nuk ka kryer fshehje të pasurisë dhe as deklarim të rremë.Hetimi i KPK verifikoi vërtetësinë e deklarimeve. Po kështu në lidhje me figurën, në raportin e DSIK thuhet se prokurorja është e përshtatshme për vazhdimin e detyrës.”
Prokurorja Fatjona Memçaj nuk kundërshtoi në asnjë moment gjetjet e KPK-së dhe në fund kërkoi rikonfirmimin në detyrë.
Vendimi përfundimtar i KPK-së për prokuroren Memçaj do të jepet në datën 3 maj.
Nesë KPK vendos për kalimin e Fatjona Memçajt, ajo do të jetë e para prokurore që kalon vetingun. Besa Nikëhasani, prokurorja e Apelit Shkodër, u shkarkua nga KPK për shkak të mosjustifikimit të pasurisë.
Fatjona Memçaj e ka nisur karrierën në vitin 2003 si prokurore e rrethit në Tiranë. Më pas ajo është emëruar drejtoreshë e Koordinimit Ligjor në Presidencë, post të cilin e ka mbajtur nga viti 2007 deri në vitin 2012. Prej vitit 2013 është prokurore e Apelit në Tiranë.
Zonja Memçaj, prokurore e Apelit në Tiranë, është pjesë e listës prioritare të vetingut pasi është anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.