KPK shkarkon gjyqtaren e Apelit Shpresa Beçaj

Nga Exit News
KPK shkarkon gjyqtaren e Apelit Shpresa Beçaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të premten nga detyra gjyqtaren e Apelit Shpresa Beçaj, pasi nuk ka dorëzuar deklaratat e pasurisë dhe pastërtisë së figurës për procesin e vetingut.

Në 1 korrik, gjatë seancës dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pohoi se zonja Beçaj nuk ka paraqitur tre deklaratat kryesore për procesin e vetingut, atë të pasurisë, atë të figurës dhe atë të profesionalitetit. KPK argumetoi se mosparaqitja e këtyre deklaratave sjell humbjen e statusti të gjyqtares dhe Komisioni nuk mund të vazhdojë hetimet ndaj Beçaj.

Gjatë seancës dëgjimore zonja Beçaj argumentoi se ajo nuk kishte detyrim ligjor të dorëzonte këto deklarata sepse në kohën kur duhej të dorëzoheshin këto deklarata, ajo nuk ushtronte funksionin e gjyqtares.

Beçaj tha se Këshilli i Lartë i Drejtësisë shkeli ligjin duke mos e e emëruar në Gjykatën e Apelit pas mbarimit të mandatit si anëtare e Gjykatës së Lartë. Gjatë kësaj periudhe ajo pohoi se ka punuar si avokate dhe nuk ka patur detyrim ligjor të deklaronte pasurinë e saj pranë ILDKPI. Ndërkohë në komunikim për gazetarët, Beçaj shtoi se deklaratat e saj nuk u pranuan nga Gjykata e Apelit pasi nuk figuronte si gjyqtare në Apel.

Shpresa Beçaj ka përfunduar studimet në drejtësi në vitin 1983 dhe e ka filluar karrierën si gjyqtare nga Gjykata e Gramshit. Ajo u emërua gjyqtare në Tiranë në vitin 1990 ndërsa në vitin 1994 u promovua si gjyqtare e Apelit të Tiranës.

Në vitin 2004, Beçaj u dekretua gjyqtare në Gjykatën e Lartë ndërsa 4 vjet më pas u emërua kryetare e kësaj gjykate.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>