Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra të hënën gjyqtarin e Apelit Shkodër Aleks Nikolli, një prej gjyqtarëve që votoi pro uljes së dënimit të përjetshëm për Dritan Dajtin, i dënuar për vrajsen e 4 policëve.
Vendimi për shkarkimin e tij u mor nga Brunilda Bekteshi, Olsi Komici dhe Lulzim Hamitaj.
Gjatë seancës dëgjimore, KPK deklaroi se ka gjetur problem me deklarimin e pasurisë së gjyqtarit Nikolli dhe se për këtë arsye kishte vendosur që vetingu për të, të bëhej vetëm për kriterin e pasurisë.
KPK, nga hetimi administrativ, arriti në përfundimin që gjyqtari nuk ka pasur mundësi për të ndërtuar me burime të ligjshme të ardhurash një vilë, në fshatin Ishull Shëngjin të Lezhës, në një truall të blerë në vitin 2001. Ndërtimi është bërë në vitet 2003-2004.
Sipas dokumenteve të dorëzuar nga gjyqtari, vlera e ndërtimit ka qenë rreth 9,7 milionë lekë, por se gjyqtari nuk ka pasur mundësi për të kursyer këtë shumë në vitin 2003-2004.
Në vitin 2012, gjyqtari i ka shitur të vëllait dy kate të kësaj vile për vlerën 200 mijë lekë, dhe ka mbajtur për vete një kat tjetër. KPK ngriti dyshimet se Nikolli ka bërë kontratë fiktive me të vëllanë.
Gjyqtari i kundërshtoi këto gjetje duke deklaruar se shtëpia ishte ndërtuar, para se ai të ishte gjyqtar, me të ardhurat e dy vëllezërve të tij në emigrim, por nuk ka mundur të paraqesë dokumente për të vërtetuar këto të ardhura.
KPK gjeti dhe probleme të tjera për një kontatë huapërdorjeje reciproke mes gjyqtarit dhe vëllait të tij, për një apartament në Lezhë, në të cilën ishin bërë dhe dy shtesa. Në deklaratat e pasurisë së gjyqtarit, ka mospërputhje datash për ndërtimin e shtesave, duke bërë KPK-në të dyshojë për mosvërtetësinë e tyre.
Po ashtu KPK dyshon se i vëllai nuk ka pasur mundësi financiare për të blerë aparamentin dhe bërë shtesa në të.
Aleksi, në vitin 2008, kishte blerë dhe një dyqan në Lezhë, për 1.2 milionë lekë dhe një vit më pas i’a ka shitur në shumën 3.2 milionë lekë vjehrrit. KPK ngriti dyshime për rritjen e mënjehershme të vlerës së pronës.
KPK gjeti probleme dhe me kontratën mes gjyqtarit dhe një firme ndërtimi, për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Sipas relatorit Komici, Nikolli ka përfituar çmim preferencial nga kompania në këtë kontratë sipërmarrje dhe se nuk e ka deklaruar një gjë të tillë.
Në total, nga analiza financiare për periudhën 2003-2016, KPK ka gjetur një balancë negative në vlerën 7.6 milionë lekëve në pasurinë e gjyqtarit.