KPK shkarkon kreun e KED-së, gjyqtarin Artan Broci

KPK shkarkon kreun e KED-së, gjyqtarin Artan Broci

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, njëkohësisht dhe kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) Artan Broci nuk e kaloi vetingun dhe u shkarkua sot nga detyra.

Vendimi u mor sot ng trupa e KPK-së e përbërë nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari.

Gjyqtarit ju gjetën shkelje në deklarimin e disa prej pronave të paluajtëshme.

Kështu, Broci ka bërë një shtesë në apartamentin e tij në Tiranë, në vitin 2013. KPK gjeti mospërputhje mes sipërfaqeve dhe vlerave të parave që gjyqtari ka deklaruar në deklaratat vjetore me deklaratën për veting.

Për një shtesë në një apartament tjetër, gjyqtari ka deklaruar si burim të ardhurash shitjen e një shtëpie në plazh. Kjo shtesë është bërë që në vitin 2011, por është deklaruar në 2013. Edhe për këtë rast KPK gjeti mospërputhje deklarimesh dhe lëvizjes të parave në bankë.

Në vitin 2014, Broci ka marrë në shqyrtim një çështje civile me palë të paditur firmën që ka ndërtuar objektin ku gjyqtari ka një apartament. Broci ka vendosur që firma e ndërtimit të mos i paguante dëmin personave që e kanë paditur. Për këtë rast, KPK vlerëson se gjyqtari Broci ka vepruar në kushtet e konfliktit të interesit.

Për një tjetër apartament në Rashbull të shitur në vitin 2010, ka dy deklarata moteriale, duke krijuar dyshime për vërtetësinë e këtyre kontratave. Gjyqtari nuk ka paraqitur asnjë dokument që vërteton se ka paguar tatime në lidhje me shitjen e kësaj pasurie.

Lidhur me një zyrë 40 metra katrorë në Tiranë, KPK vlerëson se gjyqtari nuk ka pasur burime për ta blerë. Kjo pronë është lëshuar me qira për tre vite, por ka të dhëna kontradiktore për fitimet nga kjo pronë.

Ndërsa për një ambient 63 metra katrorë te Shallvaret gjyqtari Broci nuk ka deklaruar qiranë  dhe ka mospërputhje të pagimit të taksave për disa vite me radhë.

Për më tepër, KPK ka gjetur se gjyqtari nuk ka ka deklaruar një pasuri që e përdor në rrugën e Dibrës, pasi OSHEE, ka sjellë informacion se në emrin e Brocit është lidhur një kontratë për furnizimin me drita, po ashtu edhe kontratë për furnizimin me ujë të pijshëm.

Artan Broci është i katërti gjyqtar nga Gjykata e Lartë që nuk kalon vetingun. Më herët, KPK ka shkarkuar Admir Thanzën, Artan Zenelin dhe Shkëlzen Selimin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>