KPK shkarkon nga detyra gjyqtaren e Apelit Tiranë, Maria Qirjazi

Nga Exit News
KPK shkarkon nga detyra gjyqtaren e Apelit Tiranë, Maria Qirjazi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Maria Qirjazi.

Komisioni hetoi një apartament në Tiranë i blerë për 5 milionë lekë, një apartament në Sarandë dhe dy garazhe në këtë qytet, të cilat ishin përfituar nga kontratat e sipërmarrjes mbi tre sipërfaqe trojesh të blera nga Bashkia e Sarandës me vendim të Këshillit Bashkiak.

Sipas deklarimit, gjyqtarja Qirjazi dhe bashkëshorti i saj kishin marrë 3 milionë lekë për blerjen e apartamentit, ndërkohë që pjesa tjetër e vlerës ishte mbuluar nga të ardhurat e bashkëshortit dhe kursimet.

KPK gjeti probleme me kontratën e sipërmarrjes.  Trualli në kontratën e sipërmarrjes ishte përfituar në vitin 2002 nga Bashkia e Sarandës, por regjistrimi i tij në hipotekë ishte bërë vetëm në vitin 2010.

Ndër të tjera, KPK vuri në dukje se ata nuk kishin pasur të drejta të vepronin si pronarë mbi truallin, por kishin shitur atë.

Komisioni argumentoi se kontrata e sipërmarrjes ishte në një kontratë shitjeje dhe se ishin shmangur detyrimet tatimore.

Një truall në Sarandë prej 400 metrash, i zotëruar me një person të tretë po ashtu kishte të njëjtat probleme.

Një truall mbi 2 mijë metra në Finiq, përfituar edhe atje prej ish-komunës, po ashtu rezultoi me probleme të ngjashme si dhe nuk ishte deklaruar.

Komisioni gjeti gjithashtu se gjyqtarja nuk justifikonte 16 milionë lekë të ardhura të bashkëshortit si pronar i një biznesi të vogël prej vitit 1994.

Gjithashtu deklarimet cash të gjyqtares kishin pasaktësi dhe disa prej transaksioneve që ishin raportuar si të kryera, nuk ishin deklaruar si gjendje cash.

Maria Qirjazi ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, ku ka punuar për më shumë se një dekadë si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës. Prej vitit 2013, Qirjazi e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>