Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të enjten nga detyra gjyqtaren e Apelit Shkodër, Lindita Hoxha.
Vendimi u dha nga Etleda Çiftja, Valbona Sanxhaktari dhe Xhensila Pine.
ILDKPI-ja hartoi një raport negative për gjyqtaren për deklarim të pasaktë, mungesë të dokumentacionit ligjor për të ardhurat e bashkëshortit.
Komisioni gjeti se në lidhje me një apartament të blerë në 2002 me çmimin 2 milionë lekë, gjyqtarja Hocxha nuk ka deklaruar një hua në vlerën 1 milion lekë si dhe Komisioni ngriti dyshime se Hoxha mund ta ketë blerë me një vlerë tregu më të ulët.
Gjithashtu u evidnetua mosdeklarimi i pakësimit të gjendjes cash në vitin 2006, kur është kryer blerja e apartamentit.
Sipas KPK-së Hoxha ka rezultuar me pamundësi financiare në shumën 313 mijë lekë për pagesën e këstit të dytë për një apartament me sipërfaqe 56.5 m2 të blerë në vitin 2016 në Shëngjin të Lezhës në vlerën 35 mijë e 400 euro.
Për një apartament tjetër që bashkëshorti e ka blerë para martese, në vitin 2001, në shumën 500 mijë lekë, KPK konstaton pamundësi për të provuar të ardhurat e përfituara prej tij.
Sipas Komisionit gjyqtarja Hoxha nuk ka deklaruar në vitin 2005 blerjen e një autoveture tip Benz në vlerën 250 mijë lekë si dhe për automjet tip Benz të blerë në vitin 2010 në shumën 5000 euro u gjetën mospërputhje për burimin e krijimit, pasi ndryshe nga deklarata periodike ku janë shënuar kursimet familjare si burim, në atë veting është pasqyruar edhe një hua.
Nga analiza financiare për periudhën 2003-2016 ka rezultuar një balancë negative në vlerën 548 mijë lekë.
Në lidhje me figurën dhe profesionalitetin gjyqtarja Hoxha u vlerësua pozitivisht.
Gjyqtarja ka një karrierë 27-vjeçare në sistemin e drejtësisë. Prej vitit 2003 ajo ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër. Në vitin e 2019, Hoxha ishte një nga 5 gjyqtarët e Apelit që shqyrtuan çështjen e uljes së masës së dënimit ndaj Dritan Dajtit, i cili vrau 4 policë.
Hoxha së bashku me ish-kreun e Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha ishin kundër heqjes së burgimit përjetshëm për Dritan Dajtin.