
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Elbasanit, Ramazan Avdiu.
Vendimi u dha të enjten nga Olsi Komici, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari.
KPK gjeti mungesë burimesh për kthimin e disa huash të dhëna me interes nga gjyqtari Avdiu.
Sipas KPK, duket se shumat e kthyera nga huamarrësit janë trajtuar dhe deklaruar nga Avdiu si kthim i principalit, me qëllim shmangien e pagimit të detyrimeve për të ardhurat e siguruara nga interesat. Gjithashtu, në disa raste janë konstatuar edhe pamundësi financiare për dhënien e huave.
Ramazan Avdiu e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtar dhe më pas kryetar në Gjykatën e Gramshit deri në vitin 2007, kur u suprimua kjo gjykatë. Prej vitit 2008, Avdiu e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan.