
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Apelit të Vlorës, Enrik Haxhiraj.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu.
Komisioni gjeti pamundësi për krijimin e pasurive në pronësi, përfshirë një vilë 4-katështe tek ‘Uji i Ftohtë’, e ndërtuar mbi tokë shtet të pushtuar.
Komisioni gjeti se gjatë periudhës 1995-2000, familja e prokurorit Haxhiraj ka rezultuar me balancë negative në shumën 10.5 milionë lekë.
Gjithashtu edhe në vitet më pas ka patur balancë negative.
Enrik Haxhiraj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1989 si prokuror në Prokurorinë e Vlorës. Në vitin 1992 është emëruar si zv/drejtues po në atë prokurori dhe për periudhën 1995-1998 ka mbajtur pozicicionin e drejtuesit. Nga viti 1998 e në vazhdim ai ka punuar për më shumë se dy dekada si prokuror në Prokurorinë e Apelit të Vlorë.