Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shtyu pa afat seancën për këshilltaren ligjore të Gjykatës së Lartë Elona Kana, pasi kjo e fundit ka kërkuar përjashtimin e komisioneres Xhensila Pine nga trupa gjykuese.
Trupa gjykuese për rivlerësimin e saj ishte përbërë nga Suela Zhegu, Xhensila Pine dhe Olsi Komici.
Zonja Kana, e cila është njëkohësisht bashkëshortja e zëvendës kryetarit të KQZ Denar Biba, pretendon se komisionerja Pine do të jetë e njëanshme në gjykim pasi ajo është caktuar nga Partia Demokratike në KPK.
“Vlerësoj se relatorja është propozuar dhe zgjedhur nga Partia Demokratike dhe se më cënohet integriteti. Kjo për shkak të qëndrimit të bashkëshortit tim në zgjedhjet e 30 qershorit. Pretendoj se qëndrimi i relatores është haptazi subjektiv”, u shpreh ajo përpara KPK.
Nga ana tjetër, këshilltarja Kana kërkoi që kërkesa e saj për përjashtimin e Pines të gjykohet nga një trup tjetër gjykuese, pasi siç u shpreh, ajo e kishte humbur besimin te kjo trupë gjykuese. Trupi gjykues vendsoi të pranojë kërkesën e zonjës Kana duke e shtyrë seancën deri sa trupi tjetër gjykues të vendosë.
Në një artikull të mëparshme kemi paraqitur pasurinë e këshilltares Kana. Pasuria zonjës Kana që nga viti 2004, kur ka deklaruar pasurinë për herë të parë, dhe deri në vitin 2017 pasuria e Kanës është rritur 21 herë.