KQZ dhunon ligjin, përjashton opozitën nga komisionet zgjedhore

KQZ dhunon ligjin, përjashton opozitën nga komisionet zgjedhore

Javën e kaluar Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, me shumicë prej 4 votash pro dhe një kundër, refuzoi kërkesën e opozitës për të patur përfaqësues në Komisionet e Zonave të Administritmit Zgjedhor (KZAZ), për zgjedhjet e 30 qershorit.

Kodi Zgjedhor, në nenin 29, pika 1, përcakton se KZAZ përbëhet nga shtatë anëtarë:

– dy anëtarë nga partia më e madhe parlamentare;
– një anëtar nga partia e dytë e shumicës parlamentare;
– dy anëtarë nga partia më e madhe e opozitës;
– një anëtar nga partia e dytë e opozitës parlamentare;
– një anëtar në gjysmën e KZAZ-ve propozohet nga partia më e madhe parlamentare dhe një anëtar në gjysmën tjetër propozohet nga partia më e madhe opozitare.

Problemi qëndron se Kodi Zgjedhor nuk arrin të përkufizojë termat “shumicë” dhe “opozitë”. Megjithatë në Kod, në nenin 2, pika 12, “partia parlamentare” përkufizohet si “partia politike që ka fituar dhe zotëron të paktën një vend në Kuvend nga zgjedhjet pararendëse”. Sipas këtij përkufizimi, Partia Demokratike është ende partia më e madhe e opozitës, edhe pse shumica e deputetëve të saj kanë dhënë dorëheqjen nga mandatet e tyre.

Sipas votimit të fundit në seanca plenare, Kuvendi ka momentalisht 121 deputetë, nga 140 deputetë që duhet të ketë në total. Këtu përfshihen dhe 17 ish-anëtarë të LSI-së dhe 25 ish-anëtarë të PD-së, të cilët janë pjesë e 2 grupeve parlamentare aktuale, grupi Demokrat dhe Grupi i deputetëve të pavarur.

Megjithatë, 19 vende në Kuvend janë ende të lira, që do të thotë se ata teknikisht i përkasin partive që i fituan ato në zgjedhjet e 2017-ës. Kështu përsëri sipas Kodit Zgjedhor dhe përbërjes së Parlamentit që nga 23 maji, PD dhe LSI janë ende partitë më të mëdha të opozitës, dhe kjo bën që ata kanë të drejtë të emërojnë anëtarët e KZAZ-së, një e drejtë e cila tani është mohuar nga KQZ.

Megjithëse ende është e paqartë se cili është argumenti ligjor në bazë të cilit KQZ ka refuzuar të drejtën ligjore të opozitës (vendimi ende nuk është publikuar), fakti i çështjes është se pikërisht kjo çështje – emërimet politike në KZAZ – duhet të jenë caktuar nga Reforma Zgjedhore. OSBE-ODIHR ka rekomanduar disa herë që anëtarët e KZAZ-së të jenë të paanshëm, duke shmangur pikërisht situatat si kjo e tanishme. Refuzimi i anëtarëve të opozitës në KZAZ, ka shumë mundësi të përforcojë qëndrimin e opozitës se zgjedhjet e 30 qershorit do të jenë të paligjshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>