KQZ mbyll afatin për ankimime, LIBRA e LSI humbasin mundësinë

KQZ mbyll afatin për ankimime, LIBRA e LSI humbasin mundësinë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Klement Zguri njoftoi sot partitë se ka përfunduar afati kohor për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve.

Në një deklaratë për shtyp, Zoti Zguri sqaroi se PDIU dhe PD kanë kundërshtuar rezultatet në Qarkun e Tiranës, ndërsa PD ka animuar rezultatin në Qarkun e Beratit.

PDIU dhe kreu i saj Shëptim Idrizi pretendon se në 65 përqind të kutive të votimit në Tiranë, janë të paktën 50 vota të PDIU që nuk janë pasqyruar në tabelat përfundimtare. Sipas rezultatit përfundimtar të KQZ, PDIU në Tiranë fitoi  12.347 vota ose 2.98 për qind. Përmes ankesës, shëptim Idrizi shpreson të kapë prej 3 përqindësh dhe të fitojë mandatin e vetëm në Tiranë.

Pretendimi i Idrizit mbështetet dhe nga Partia Socialiste, e cila ka kërkuar rinumërim pikërisht në disa kuti ku PDIU pretendon se i janë vjedhur votat.

Ndërkohë Partia Demokratike ka animuar rezultatin në qarkun e Beratit, më specifikisht numërimin e votave në dy kuti votimi, të cilave u mungonte dokumentacioni i duhur. Edhe nëse këto kuti votash nuk janë përfshirë në rezultatin përfundimtar të këtij qarku, nuk pritet të ketë ndryshim të shpërndarjes së  mandateve në Berat.

LIBRA e Ben Blushit duket se e ka humbur mundësinë për të ankimuar rezultatin në Tiranë. Sipas Zotit Blushi, 18 vota të LIBRA-s në dy kuti të ndryshme votimi, nuk janë numëruar në favor të LIBRA-s por i kanë kaluar partive të tjera. Blushi në veçanti akuzon një numërues të PS, Ergys Hilën, për “vjedhjen” e votave të LIBRA-së. Gjithsesi denoncimi i Blushit nuk do të diskutohet në KQZ.

Kryetarja e re e LSI Monika Kryemadhi ka denoncuar gjithashtu blerjen dhe deformimin e votës së 25 qershorit, por nuk ka regjistruar asnjë ankesë në KQZ.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>