Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi të hënën vendimin për aplikimin e identifikimit biometrik të votuesve.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi deklaroi se nëpërmjet identifikimit biometrik synohet ruajtja e votës.
Në një intervistë për Abc News, zëvendës Komisionerja Shtetërore, Lealba Pelinku sqaroi se pajisja që do të bëjë identifikimin e votuesit përmban të gjitha të dhënat e tij.
Gjithashtu ajo shtoi se pajisja do të paraqesë foton e tij në një përmasë më të madhe se ajo e pasaportës apo kartës se identitetit duke bërë që komisioni të shohë nëse korrespondojnë ose jo të dhënat.
“Pajisja përmban të gjitha të dhënat e votuesit do të bëjë identifikimin e zgjedhësit. Pra do të kalohet mjeti i identifikimit dhe pajisja konfirmon të dhënat e zgjedhësve. Pajisja mban dhe foto, por jo ajo foto e vogël që ka karta apo pasaporta, por një foto më e madhe, e tillë në përmasa që të duket qartë që personi që është në qendrën e votimit është e njëjtë me atë në foto që sheh komisioni përmes pajisjes”
Pelinku deklaroi se ky është një sistem offline dhe nuk do të ketë lidhje me asnjë rrjet elektrik.