Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot të ndryshojë ambientet e KZAZ-së në Kukës dhe të vijojë me përgatitjen e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Me votën kundër të kryetarit të KQZ-së Klement Zguri, katër anëtarët e tjerë të KQZ-së vendosën sot që materialet zgjedhore për Bashkinë e Kukësit të zhvendosen nga shkolla e mesme ‘Havzi Nela’ në një ambient privat.
Ky vendim u mor pas ngjarjeve të 19 qershorit, ku disa qytetarë hynë brenda shkollës dhe morën materialet zgjedhore. Për këtë, policia arrestoi 4 qytetarë dhe shpalli në kërkim 7 të tjerë.
Disa ditë më parë, Bashkia Kukës dhe disa bashki të tjera, në respektim të dekretit të Presidentit Meta, i kanë kërkuar KQZ-së të ndalojë procesin e përgatitjeve të zgjedhjeve dhe të lirojë ambientet publike ku janë vendosur KZAZ-të. Por KQZ vazhdimisht ka deklaruar se nuk e njeh dekretin e Metës dhe do të vazhdojë me përgatitjen e zgjedhjeve.