Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të diskutojë në 16 qershor për shkarkimin ose jo nga detyra e kryebashkiakëve të Matit, Agron Malaj, dhe Librazhdit Kastriot Gurra.
Siç Exit News ka shkruar më parë, Agron Malaj ka qënë i dënuar me vendim të formës së prerë për armëmbajtje pa leje. Sipas hetimeve të prokurorisë, të gjitha këto detaje janë bërë publike dhe nga vetë Malaj në formularin e vetëdeklarimit, por KQZ nuk e ka ndaluar atë nga kandidimi.
Partia Demokratike kërkon shkarkimin e tij bazuar në ligjin e dekriminalizimit, i cili i ndalon kandidimit personave të dënuar për vepra penale.
Ndërsa për kryebashkiakut të Librazhdit, Kastriot Gurra një lëvizje qytetare dyshonte se ai ishte dënuar për falsifikim vulash. Në përfundim të hetimeve, prokuroria gjeti se Gurra nuk rezulton të jetë shpallur në kërkim e aq më tepër që të jetë dënuar për falsifikim vulash.
Të dy kryebashkiakët janë kandiduar nga Partia Socialiste dhe fituan mandatin në zgjedhjet e 30 qershor 2019.