Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur sot shortin për renditjen e partive të regjistruara në fletën e votimit.
Fleta e votimit do të përmbajë 15 parti duke nisur me Partinë Fryma e Re Demokratike e renditur e para dhe LSI e PS, të renditura në fund.
Gjatë mbledhjes së djeshme, KQZ miratoi pa mbështjen e anëtarëve të opozitës, listat shumëemërore të partive politike që janë regjistruar për zgjedhje.
Tre anëtarët që përfaqësojnë opozitën në KQZ, Hysen Osmanaj, Klement Zguri dhe Vera Shtjefni kanë kërkuar rishikimin e dokumentacionit të tre partive, Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit, NISMA e Ben Blushit dhe Sfida e Gjergj Bojaxhiut. Anëtaret e KQZ shprehen se ata kanë konstatuar parregullsi dhe mospërputhje mes nënshkrimeve të mbështetësve nga kartat e identitetit në listat e dorëzuara në KQZ.
Kërkesa e tyre për verifikimin e tyre u refuzua nga kryetari i KQZ Denar Biba. Zotërinjtë Osmanaj, Zguri e Shtjefni e quajtën vendimin e Zotit Biba të paligjshëm, në dëm të misionit e detyrave të KQZ-së dhe në favor të interesave të subjekteve zgjedhore.
Në lidhje me këtë situatë, dje reagoikryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili ndër të tjera hodhi dyshimin se firmat mund të jenë mbledhur nga ndërmarrje dhe institucione publike si OSSHE apo Shërbimi Kombëtar i Punësimit.
“Ky veprim i paligjshëm për të mos bërë transparencë synon të mbulojë të vërtetën e firmave fallco dhe të firmave të mbledhura nga ndërmarrjet dhe institucionet publike, përfshi OSSHE-në dhe Shërbimin Kombëtar të Punësimit, të cilat i kanë detyruar punonjësit e tyre të firmosin për parti politike që nuk kanë as anëtare dhe as struktura. Këto parti po shërbejnë në vitin 2017 si fasada e shëmtuar e pseudopluralizmit të llojit të Ramiz Alisë,” u shpreh Zoti Basha.