Isa Mustafa, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u shpreh sot se Kosova duhet ta heqë tarifën 100 për qind ndaj Serbisë dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve, me drejtimin e SHBA-ve dhe BE-së.
Përmes një postimi në Facebook, Isa Mustafa shkruan se për Kosovës ka rëndësi të veçantë ruajtja e partneritetit me SHBA-të, e cila do të prijë bisedimet Kosovë-Serbi, sapo të hiqet tarifa 100 për qind ndaj produkteve serbe.
Ai shprehu bindjen se me lidershipin e SHBA-ve mund të arrihet në një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë.
Sipas tij, i dërguari special i Presidentit Trump, Richard Grenell u shpreh se SHBA-të nuk parashohin shkëmbim të territorit si zgjidhje e konfliktit mes dy vendeve, kështu tarifa ndaj produkteve serbe e humbet rëndësinë e saj si presion ndaj Serbisë:
“Nga SHBA dhe BE po kërkohet fillimi i një procesi të ri të dialogut për Marrëveshjen Përfundimtare me Serbinë. E si kusht i kësaj, heqja urgjente e tarifës për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosna e Hercegovina.
Në situatën aktuale të realpolitikës është e rëndësisë themelore të ruhet dhe të kultivohet partneriteti me SHBA-të dhe të vlerësohet roli prijës i tyre në këtë proces. Jam shumë i bindur se vetëm me SHBA-të mund të përmbyllet Marrëveshja Përfundimtare me Serbinë. Për më tepër kur i dërguari special i Presidentit Trump, Richard Grenell u shpreh se SHBA-të nuk parashohin shkëmbim të territorit. Kjo edhe e bënë tarifën instrument të parëndësishëm të preventimit të dialogut për territorin.
Asnjë tarifë dhe asnjë reciprocitet nuk matet me peshën e partneritetit, sidomos me SHBA-të por dhe me BE-në.
Për këto arsye, vlerësoj se: Kosova duhet të heq tarifën, në mirëbesim me SHBA-të dhe BE-në.”
Isa Mustafa theksoi se në të njëjtën kohë dhe Serbia duhet të ndalojë fushatën kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe se zgjidhja përfundimtare e konfliktit duhet të jetë njohja reciproke:
“Rezultati që ne duhet të synojmë është njohja reciproke, e cila përfundimisht zgjidhë edhe problemet e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me Serbinë dhe krijon ambient të sigurt dhe pozitiv për investime të jashtme, për punësim dhe prosperitet ekonomik.”
Heqja e tarifës 100 për qind për produktet serbe duket se është çështje ditësh.
Ditët e fundit kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi kanë deklaruar se dy partitë e koalicionit qeveritar Vetëvendosje dhe LDK do të takohen për të koordinuar hapat konkretë që do të marrin për heqjen e tarifës 100 për qind.