
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dha të martën një mesazh shprese për vitin 2021.
Ai foli mbi vitin 2020 dhe vështirësitë globale që solli pandemia.
Ai nuk e fshehu trishtimin për vështirësitë e krijuara nga kjo pandemi.
Vitin 2020 e përshkroi si një vit sprovash, tragjedish dhe lotësh. Pandemia, tha ai, ka rritur në shkallë të reja varfërinë, pabarazinë dhe urinë.
Por ai tha se me vitin e ri “shohim rrezet e shpresës: njerëzit që u japin një dorë ndihme fqinjëve dhe të huajve. Punëtorët e vijës së parë duke dhënë gjithçka. Shkencëtarët që zhvillojnë vaksina në kohë rekord. Vendet që marrin angazhime të reja për të parandaluar katastrofën klimatike”.
Kreu i OKB tha se ndryshimi i klimës dhe pandemia janë kriza që nuk kapërcehen lehtë.
“Duhet punë e madhe, sipas tij, përkushtim dhe mbi të gjitha një gatishmëri e të gjithë njerëzve për të punuar së bashku për të njëjtin qëllim”, tha ai.
Nëse punojmë të bashkuar dhe me solidaritet, tha kreu i OKB, rrezet e shpresës mund të shtrohen në gjithë botën.
Sipas tij “ky është mësimi i këtij viti të vështirë”.