Kreu i Policisë Çako: Policia nuk ka pasur pajisje përgjimi

“Jam më se i qartë se policia gjatë gjithë veprimtarisë nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk mund të ketë pajisje përgjimi. Policia nuk ka kryer dhe nuk kryen përgjim të telekomunikimit. Policia e Shtetit nuk ka pasur dhe nuk ka një pajisje të tillë në dispozicion apo inventar. Për këtë jam më se i sigurt.”

Kjo është deklarata e Haki Çakos, drejtorit të Policisë së Shtetit, dhënë sot përpara Komisionit të Sigurisë së Kuvendit.

Zoti Çako u tregua i rezervuar në informacionin e dhënë pasi tha se për çështjen e pajisjes së përgjimit ka nisur një procedim penal dhe informacionet që mund të bëhen publike janë shumë të pakta.

Pyetjes së deputetit Flamur Noka se nëse është zbatuar procedura e parashikuar në ligj për dokumentacionin hyrës të pajisjes në Shqipëri, Zoti Çako iu përgjigj se për këtë duhet të japë përgjigje Prokuroria.

Zoti Çako nuk iu përgjigj drejtëpërdrejtë pyetjes nëse policia ka pajisje gjurmimi. “Policia e Shtetit ka mjete dhe metodat e veta, gjurmimi është koncept tjetër dhe përgjimi është tjetër”, tha ai.

Haki Çako u shpreh i gatshëm të ndihmojë Prokurorinë për zbardhjen e të vërtetës për pajisjen e përgjimit.

Pas Zotit Çako, Komisioni i Sigurisë do të pyesë Kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>