Kreu i ri i FMN-së në Shqipëri: Ulni borxhin publik dhe mos jepni PPP pa kontroll

Kreu i ri i FMN-së në Shqipëri: Ulni borxhin publik dhe mos jepni PPP pa kontroll

Kreu i sapoemëruar i fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë, Jan Kees Martijn këshillon qeverinë Rama të ulë borxhin publik dhe të bëjë kujdes me Partneritetet e shumta Publike-Private.

Në një intervistë për Revistën Monitor, Zoti Martijn vazhdon të theksojë, njësoj si ish-shefi i FMN-së Jens Reinke, se qeveria nuk mund të pranojë çdo propozim të pakërkuar nga kompanitë private për PPP, pa bërë asnjë analizë të plotë kostosh e përfitimesh.

Zoti Martijn u shpreh se kostot e PPP-ve aktuale mund të jenë më të larta nga sa janë paraqitur deri më tani dhe se ato përmbajnë risqe thelbësore fiskale.

Disa nga deklaratat kryesore të Jan Kees Martijn janë:

Për Partneritetet Publike-Private

– Shqipëria ende nuk ka një sistem të mirë për të menaxhuar kostot dhe rreziqet që vijnë nga PPP-të. Ne këshillojmë që Ministria e Financave të ndërmarrë një vlerësim të plotë të rreziqeve të lidhura me PPP-të, ndikimin e tyre në kuadrin afatmesëm buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit.

– Këshillojmë që të nxitet procesi konkurrues i ofertave, duke ndaluar pranimin e propozimeve PPP të pakërkuara në të gjithë sektorët.

– Këshillojmë që qeveria të marrë në konsideratë zbatimin e “kontabilitetit me të drejta të konstatuara” dhe të forcojë më tej diskutimin lidhur me rreziqet fiskale që lidhen me PPP në Deklaratën Fiskale të Rreziqeve. Kjo deklaratë duhet të ofrojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të të gjitha kontratave të PPP-së dhe të përshkruajë politikën e qeverisë për zbutjen e këtyre rreziqeve.

Për borxhin publik

– Ne rekomandojmë reduktimin e borxhit të lartë publik të Shqipërisë në një ritëm më të shpejtë, duke rritur menaxhimin e investimeve publike dhe duke zgjeruar bazën e të ardhurave.

– Ruajtja e stabilitetit në sektorin financiar, që është në proces ndryshimi, është një detyrë e rëndësishme për bankën qendrore, pasi disa banka nga BE po largohen dhe investitorët shqiptarë ose rajonalë po hyjnë në treg.

Për rritjen ekonomike

– Ne presim që rritja në vitin 2019 të jetë rreth 3.7 për qind; pak më e ulët sesa në vitin 2018.

– Në afatin e mesëm, ne presim që rritja të qëndrojë afër 4 për qind, e mbështetur nga eksportet e forta, përfshirë turizmin dhe investimet në infrastrukturë.

– Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj rreziqeve të shtuara që rritja ekonomike në Europë do të bjerë, përfshirë partnerët e saj tregtarë, si Italia. Rënia në këto vende do të përhapej në Shqipëri dhe do të reduktonte rritjen ekonomike të saj, nëpërmjet eksporteve më të ulëta, remitancave dhe Investimeve të Huaja Direkte (IHD).

Për klimën e biznesit

– Klima e biznesit të Shqipërisë duhet të përmirësohet në shumë mënyra. Ne do ta vinim theksin te disa reforma prioritare:

 – forcimi i zbatimit të sundimit të ligjit;

 – forcimi i kuadrit për të drejtat e pronësisë dhe kontraktuale, për të nxitur rritjen e kreditimit të sektorit privat dhe për të lehtësuar tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte;

 – përmirësimi i infrastrukturës së Shqipërisë, e cila ende ka boshllëqe të rëndësishme;

 – përafrimi i rregullave dhe standardeve me BE-në për të nxitur integrimin e tregtisë dhe për të lehtësuar eksportet e kompanive shqiptare në tregjet e BE-së.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>