Krichbaum: Pa bërë Reformën Zgjedhore para 2019-ës, nuk ka hapje të negociatave

Krichbaum: Pa bërë Reformën Zgjedhore para 2019-ës, nuk ka hapje të negociatave

Gunther Krichbaum, kryetari i Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestagun gjerman, deklaroi sot se pa bërë Reformën Zgjedhore para zgjedhjeve lokale të vitit 2019, Shqipëria nuk ka shanse të hapë negociatat me Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për gazetën Panorama, deputeti i CDU/CSU-së shprehu pakënaqësi për përparimin që ka bërë qeveria për të plotësuar kushtet e vëna nga BE dhe Bundestagu gjerman.

“Negociatat mund të fillojnë vetëm pasi Shqipëria të ketë kryer reformat e nevojshme. Këtu duhet të përmendim krahas verifikimit të plotë të gjyqtarëve e prokurorëve dhe Reformën zgjedhore.

Nëse zgjedhjet vendore 2018 do të zhvillohen sipas ligjit të vjetër zgjedhor, nuk shoh ndonjë shans real për hapjen e negociatave për anëtarësim në 2019-ën.”

Zoti Krichbaum sqaroi se nuk ka një kalendar apo datë të saktë të hapjes së negociatave, pasi duhet parë ecuria e reformave në vazhdimësi:

“BE nuk ka marrë një vendim për fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë. Ajo do ta rishqyrtojë çështjen në Këshillin e ardhshëm të qershorit 2019 dhe pastaj do të marrë një vendim përfundimtar në Këshillin e dhjetorit 2019.

Për fat të keq, 2 vjet e gjysëm më vonë [nga vënia e 7 kushteve nga Gjermania] duhet të konstatojmë se ka pasur pak përparim në këto çështje.”

Lidhur me sulmin e koordinuar ndaj Krichbaumit nga media, kryesisht të afërta me qeverinë Rama, që më pas çoi dhe në bojkotin nga ana e disa deputetëve gjermanë të darkës që Kryeministrit Rama kishte organizuar për to në Berlin, Krichbaum u shpreh:

“Jo vetëm unë anolova pjesëmarrjen në darkë. Pothuaj të gjithë deputetët e CDU/CSU-së hoqën dorë nga ajo darkë, duke iu referuar fushatës mediatike.

Nëse është e mundur të bëhet një fushatë e tillë e koordinuar kundër një politikani të huaj, atëherë një gjë e tillë mund të nisë në çdo kohë kundër shoqërisë civile dhe opozitës në vendin tuaj.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>