Të premten u krijua Njësia e Përbashkët Policore SHBA-Shqipëri, e cila do të luftojë mashtrimet me vizat, pashaportat dhe dokumentet e tjera të udhëtimit, si dhe do të hetojë krime në interesin e përbashkët.
Firmosja e marrëveshjes mes shefes së Zyrës Rajonale të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara Karen Rileë dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu u njoftua nga Ambasada e SHBA-ve.
Kjo njësi, sipas postimin në Facebook, të Ambasadës do të përbëhet “nga hetues me përvojë nga Policia e Shtetit, do të punojë ngushtë me Zyrën Rajonale të Sigurisë së Ambasadës, dhe do të marrë rroga, pajisje teknike dhe hetimi, automjete, kompjutera, telefonë, dhe pajisje të tjera komunikimi, trajnim dhe mbështetje të tjera nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë”.
Hapja e kësaj zyre është në kuadër të ndihmës së SHBA-ve në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit.
“Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë”, përfundon njoftimi i ambasadës.