Pas derdhjes së qindra litrave naftë në det si pasojë e një aksidenti në depozitat e naftës pranë portit të hidrokarbureve në Durrës – të cilat kërcënojnë burimet e ujit të pijshëm, florën dhe faunën e zonës, Prokuroria dhe Policia e Shtetit bëjnë një sy qorr, ndërsa Inspektoriati i Mjedisit thotë se i ka duart e lidhura për shkak të ristrukturimit.
Ndërsa shumica e qytetit të Durrësit është e mbyllur në shtëpi për shkak të masave të distancimit social që synojnë të parandalojnë epideminë e koronavirusit të ri SARS-CoV-2, banorët e lagjes periferike të Porto Romanos – ku ndodhet porti i hidrokarbureve dhe depozitat e naftës, e ngrysin ditën prej një jave të zhytur në një kanal vaditës të mbushur me naftë- e derdhur aty pas një aksidenti industrial.
“Më kanë thënë se një anije është derdhur në kanal,” thotë Burhan Dervishaj, i cili u zhvendos 27 vite më parë me familjen në Durrës nga Tropoja.
“Kanë rënë në gjumë ata që kanë pasur për detyrë me e kontrollu, është mbushur depozita dhe është derdhur një anije me naftë,” shpjegoi ai.
Ndotja u konstatua përgjatë disa kilometrave në kanalet bujqësore që shërbejnë për kullimin e tokave, që dikur i përkisnin kënetës së bonifikuar të Durrësit. Kanalet shkarkohen në detin Adriatik përmes hidrovorit dhe rrjedhjes së lirë drejt ligatinës së Kepit të Palit.
Sipas Inspektoriatit Shtetëror Mjedisor, derdhja e naftës ka ndodhur nga depozitat e kompanisë “Gega Oil”, e cila pas aksidentit, ka marrë masa për pastrimin e territorit. Por aktivistët mjedisorë nuk janë të bindur që masat janë të mjaftueshme.
Ekspertët thonë se hidrokarburet janë toksike për faunën dhe autoritet duhet të vlerësojnë sa më parë përqendrimin e tyre pas derdhjes së konstatuar në kanalin kullues dhe ujërat bregdetare.
“Përgjithësisht hidrokarburet janë toksike për shumicën e gjallesave, por duhet vlerësuar se sa ka qenë përqendrimi, se çfarë ndryshimesh ka sjellë në popullatat e peshqve, bretkosave, popullatës së kanalit,” tha hidro-biologu Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i Eco Albania, një organizatë mjedisore me qendër në Tiranë.
“Duhet bërë një vlerësim i shpejtë, qoftë në aspektin e florës dhe të faunës edhe në aspektin e parametrave fiziko-kimikë të ujit,” shtoi ai, duke nënvizuar se pa bërë një vlerësim të tillë “është e vështirë të flasësh.”
Policia e Durrësit i tha BIRN se ngjarja është referuar në Prokurori, por organi i akuzës nuk iu përgjigj një kërkese për koment nëse kishte regjistruar procedim penal për ‘krim mjedisor’.
Inspektoriati Mjedisor në Durrës i tha BIRN se pasi kishte marrë informacion mbi incidentin, kishte dërguar dy inspektorë në terren, por për shkak të ristrukturimit të institucionit, inspektimet ishin pezulluar.
“Ne jemi në ristrukturim, por edhe përse ndodhemi në këtë fazë, sapo morëm vesh për situatën i kam nisur dy inspektorë dhe kanë shkuar në terren dhe kanë konstatuar se një nga kompanitë e hidrokarbureve kishte pësuar një incident gjatë shkarkimit të naftës,” tha kryeinspektori Besart Meta.
Megjithë sasinë e madhe të naftës së derdhur, Meta pohoi se Inspektoriati nuk kishte marrë masa administrative ndaj kompanisë, por kishte informuar Prefekturën e Durrësit dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.
Ndërkohë, e kontaktuar nga BIRN, një përfaqësuese e kompanisë Gega Oil mohoi që dredhja e naftës të kishte ardhur si pasojë e një aksidenti industrial në depozitat e saj.
“Jo jo, nuk ka lidhje me ne,” tha përfaqësuesja e kompanisë.“Për fat atë ditë ka qenë anija duke shkarkuar dhe ai kanali nuk është vetëm i joni, por i të gjitha depozitave,” shtoi ajo.
Derdhja e naftës
Zona e Porto Romanos, e gjendur gjashtë kilometra në veri të qytetit të Durrësit u përcaktua në vitin 2001 si vend për zhvendosjen e depozitave të naftës nga porti i Durrësit, si pjesë e një “parku energjetik”.
Në vitin 2004, qeveria socialiste e ish-kryeministrit Fatos Nano i dha një koncesion një konsorciumi biznesmenësh vendas të udhëhequr nga Pirro Bare, për të ndërtuar një terminal nafte për importimin e naftës dhe gazit natyror të lëngëzuar. Ndërkohë, në vitin 2015 u dha me koncesion ndërtimi i një terminali të dytë hidrokarburesh, i cili tani është në pronësi të grupit Kastrati.
Sipas Inspektoriatit Mjedisor në Durrës, aksidenti në depozitat e naftës së kompanisë ‘Gega Oil’ ka ndodhur të dielën më 12 prill. Pas aksidentit, kompania e njoftoi zyrtarisht Inspektoratin se i ishte dëmtuar valvula kryesore ku kalon nafta, për të cilën u morën masat dhe u riparua.
Agron Hadri, përgjegjës sektori pranë Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit në Durrës i tha BIRN se pas shqetësimit të ngritur në media për derdhjen e sasisë së naftës në Porto Romano, ishte ngritur një grup pune, i cili kishte shkuar në terren dhe ka kontaktuar me zyrtarë të kompanisë për të diskutuar shkaqet që shkaktuan ndotjen.
“Personat përgjegjës ishin të vetëdijshëm për ndotjen e shkaktuar, ku sqaruan se kishte ndodhur një incident gjatë furnizimit të depozitave kryesore nga anijet e shkarkimit, pasi ishte dëmtuar valvula kryesore, për të cilën u morën masat dhe u riparua,” tha Hadri.
Ai nënvizoi se gjatë inspektimit, nga ana e inspektorëve u filmua dhe fotografua zona e ndotur.
“Gjatë kësaj kohe, kompania ka bërë pastrimin e territorit, ndërkohë inspektorët e mjedisit kontaktuan dhe me përfaqësues të hidrovorit,të cilët konfirmuan që kanë marrë masat duke vendosur bumerat për filtrimin e ujit nga kanali për në det,” shtoi ai.
Sipas Hadrit, në momentin që ka ndodhur incidenti, kompania ‘Gega Oil’ ka vënë në dijeni Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe organet ligjzbatuese.
Ndryshe nga sa pretendon Inspektoriati, një banore e zonës që preferoi të mbetej anonim i tha BIRN që pastrimin e naftës po e bënin komshinjtë e saj, të cilët janë sulur për të mbushur bidonat me naftën e derdhur- për t’i shitur më pas me 80 -140 lekë për litër.
“Banorët nuk e kuptojnë rrezikun dhe janë përqendruar tek mbushja e naftës me bidona,” tha jo, duke shtuar se njeh një komshi që deklaron se ka arritur të marrë sipas tij 10 ton naftë e të tjerë që pretendojnë se kanë marrë deri në 2 ton.
Megjithë vëzhgimin e kryer në terren nga inspektorët, kryeinspektori i Mjedisit për Durrësin i tha BIRN se Inspektoriati i kishte duart e lidhura dhe nuk mund të merrte masa ndaj kompanisë, sepse ishte në proces ristrukturimi.
“Ne jemi në detyrë të ngrirë, sepse nuk kryejmë asnjë lloj inspektimi,” tha Besart Meta. “Masë nuk kemi vënë, por kemi njoftuar Prefekturën Durrës që të njoftojë edhe instanca të tjera,” shtoi ai.
Ndërkohë, përfaqësuesja e kompanisë Gega Oil pretendoi se kanali bujqësor që kullonte në hidrovor ishte ndërtuar nga kompanitë e naftës për pastrimin dhe larjen e depozitave.
“Varet se kush nga kompanitë i ka larë depozitat dhe ka hedhur mbetjet aty që shkojnë në hidrovor dhe s’ka lidhje me askërkënd tjetër,” tha ajo.
“Kanali është apostafat për atë punë, sepse duhen pastruar depozitat herë pas here, sepse nafta krijon mbetje dhe kanalin e kanë bërë vetë kompanitë e para që kanë pasur depozitat, sepse ne i kemi bërë të fundit,” shtoi përfaqësuesja e kompanisë së naftës.
Por shpjegimi i dhënë nga kompania “Gega Oil” mbi kanalin ku u derdh nafta hidhet poshtë nga Alion Hysko, drejtor i ndërmarrjes në varësi të bashkisë Durrës që menaxhon hidrovorin, i cili shpjegon se ky kanal si shumë të tjerë janë ndërtuar gjatë bonifikimit të kënetës.
“Kanali aty ka pas qenë kanal vaditës dhe kullues, janë kanalet e parcelave bujqësore se ka qenë tokë shtet,” tha ai. “Nuk ka ndodhur herë tjetër një situatë e tillë. Nuk është se ka pasur ndonjë ndikim në hidrovor, por nuk bëhet fjalë të ketë pasur raste të tilla si kjo që ndodhi,” shtoi Hysko, duke theksuar se ndërhyrja për kufizimin e derdhjes së naftës në det nuk ishte bërë nga institucioni që ai drejton.
Përfaqësuesja e “Gega Oil” mohoi që nafta e derdhur të ishte e kompanisë së saj dhe nënvizoi se fakti se në atë kohë po shkarkohej një anije me naftë e kësaj kompanie ishte rastësi.
“Ne nuk kemi asnjë lloj problemi, mund të shkoni ta verifikoni në çdo çast. Ne nuk na ka ndodhur asgjë, na ka ardhur anija atë ditë dhe asnjë lloj problemi. Ne s’kemi pasur derdhje, asnjë gjë,” tha ajo.
“Anija është në det, është 2 kilometra larg ajo, vjen nafta prej andej me tuba, depozitat janë bërë të reja, janë të kolauduara, s’ka asnjë lloj problemi me ne,” shtoi përfaqësuesja e Gega Oil.
Ndryshe nga sa deklaron Gega Oil, kryeinspektori Besart Meta shprehet se kompania e naftës e ka pranuar incidentin edhe ka marrë përsipër ta pastrojë vetë ndotjen.
“Me ndryshimin e Kodit Penal, kjo mund të trajtohet edhe nga Policia e Shtetit, ndërkohë që ne do t’i bëjmë edhe një shkresë zyrtare Policisë së Shtetit edhe pse në dijeninë time ka informacion,” shpjegoi Meta.
“Mund ta bëjnë edhe ata vlerësimin përmes OPGJ-së, sepse me Kodin e ri Penal mund të konsiderohet edhe si krim mjedisor,” shtoi ai.
Zëdhënësi i Drejtorisë Vendore të Policisë në Durrës i tha BIRN se ngjarja ishte konstatuar dhe më pas referuar në Prokurorinë e Durrësit.
“Policia ka qenë në terren për të kufizuar lëvizjen e banorëve në kuadër të masave ndaj COVID-19,” shpjegoi zëdhënësi.
Monitorim i ndotjes
Ahmet Kastrati, administrator i kompanisë “Multi Buoy Mooring” që ka në pronësi një prej dy pontileve të naftës në Porto Romano, tha se janë marrë masa që nafta mos të derdhet në det.
“Në basenin ujor të portit nuk ka pasur ndikim, sepse janë marrë masat dhe në grykëderdhjen e hidrovorit janë vendosur disa barriera që nuk lejojnë karburantet të përçohen në detin e hapur,” tha Kastrati.
“Kemi pasur 3 nivele barrierash, të cilat e kanë mbajtur karburantin edhe nëse ka pasur ndonjë pjesë karburanti të ardhur deri tek ne, është mbajtur nga këto barriera,” shtoi ai.
Kastrati shtoi se pasi derdhja është kufizuar, është bërë edhe pastrimi përmes pompave zhytëse, duke shtuar se baseni i portit që ai drejton nuk është ndikuar në mënyrë direkte.
“Tek pjesa mjedisore ujore problemi është minimizuar, pothuajse nuk ka asnjë lloj efekti, pastaj tek kanali është situatë tjetër,” tha ai.
“Ajo që erdhi tek ne nuk është se ishte sasi e madhe, por në vetvete është substancë që shpërndahet lehtësisht,” shtoi Kastrati.
Ndryshe nga sa pretendon administratori i kompanisë MBM, hidrobiologu Olsi Nika ngriti pikëpyetje mbi efikasitetin e barrierave të ngritura për të kufizuar derdhjen e naftës në det.
“E dalloj në foto bumerin për filtrimin e ujit, po mundohen ta mbajnë aty që të mos shkojë në det, por uji duket se e kalon nivelin e bumerit dhe nuk është efikase, megjithëse e kanë vendosur si masë mbrojtëse,” tha ai.
Ndërkohë, drejtuesi i pontilit tjetër në pronësi të Romano Port, biznesmeni Pirro Bare, mohoi që ngjarja të kishte lidhje me portin e tij.
“Ne nuk kemi ndonjë ndikim nga kjo situatë, pra tek porti, sepse është porti tjetër më përpara që na mbron,” tha ai. “Është hera e parë që ndodh,” u shpreh Bare, ndërsa shtoi se “ngjarja ka ndodhur nga pjesa e depozitave në tokë”.
Nika theksoi se Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Inspektorati i Mjedisit duhet të marrin masa në terren për të bërë një vlerësim të shpejtë të gjendjes dhe nivelit të ndotjes të shkaktuar nga derdhja e naftës.
“Nëse kjo gjendje krijon probleme edhe për shëndetin e njeriut, janë institucionet më pas që ngrenë një grup të përbashkët të koordinuar pune, midis Inspektoratit të Mjedisit, Institutit të Shëndetit Publik etj,” tha ai.
“Por gjendja duhet vlerësuar dhe një vlerësim shumë të shpejtë duhet ta bëjë Inspektorati i Mjedisit – pavarësisht nëse është ose jo në shkrirje, sepse ligji nuk mund të pushojë së ekzistuari një institucion, sepse ai ka për detyrë të përmbushë kompetencat, pavarësisht procesit apo formës që do të marrë më vonë,” shtoi drejtuesi i Eco Albania.
I pyetur nga BIRN mbi masat e marra për të vlerësuar nivelin e ndotjes, drejtuesi i Inspektoriatit Mjedisor në Durrës, Besart Meta shpjegoi se ai i kishte kërkuar Agjencisë Kombëtare të Mjedisit që bënte analizat e ujit.
“Unë sot e kam njoftuar AKM-në, sepse nuk merr mostra Inspektoriati, por ne ja kërkojmë AKM-së, kështu që sot i niset shkresa AKM-së që ata të vijnë të marrin mostrat e ujit,” tha ai të premten.
Ndotja në derë të shtëpisë
Burhan Dervishaj u vendos në vitin 1993 në Porto-Romano pa shumë informacion mbi pasojat që industria petro-kimike kishte lënë mbi mjedisin.
“Ne nuk e njihnim këtë zonë dhe thamë ‘lum si ne që erdhëm në bregdet’, ikëm nga mali e nga sherri ku vriteshe për një arë,” kujton sot 71-vjeçari me origjinë nga Bajram Curri.
Si ai, mbi 500 familje u vendosën në territorin e ish-kombinatit kimik që njihej për prodhimin e lindanit, një tokë që shpejt u kuptua se ishte “e helmuar dhe toksike”.
Depozitat e lindanit në Porto Romano u pastruan një dekadë më parë, falë një investimi të Bankës Botërore, por derdhja e naftës e ka rikthyer frikën midis banorëve.
“Jam i shqetësuar jashtë mase, sepse ato janë kanceroze, me helme për bagëtitë, për bahçe e për jetesë,” tha Burhan Dervishaj, duke shtuar se zona përdoret gjerësisht për plazh me pushues që vijnë edhe nga kryeqyteti, duke përfituar nga çmimet e ulëta të çadrave.
Klaudio Hyseni, drejtuesi i organizatës Durrësi Aktiv, e cila po realizon një studim mbi ndotjen e kanaleve kulluese në zonën e Porto Romanos, i tha BIRN se kjo zonë është e ndotur dhe derdhja e naftës e ka përkeqësuar më shumë nivelin e ndotjes.
“Kanalet që dikur kanë shërbyer si pjesë e infrastrukturës së bonifikimit të Kënetës dhe të mbajtjes nën kontroll të ujërave të saj, sot janë shndërruar në kolektorë të transferimit të ujërave të përdorur drejt bregdetit,” tha ai.
“Kjo përbën një situatë mjaft të vështirë, si në aspektin mjedisor ashtu edhe shëndetësor të këtyre banorëve, pasi ata janë përherë të ekspozuar ndaj ujërave të ndotur, të cilët rrjedhin të patrajtuar në sipërfaqe,” shtoi Hyseni.
Ai nënvizoi se ndotja e shkaktuar së fundmi nga hidrokarburet e rëndon situatën dhe rrezikon familjet që ndodhen pranë kësaj zone, pasi ato banojnë jo më shumë se 1 kilometër larg.
“Është e nevojshme që institucionet të reagojnë shpejt për njohjen me nivelin e ndotjes dhe eliminimin e saj, sepse kjo nuk mund të lihet vetëm në dorën e subjekteve private që janë edhe shkaktarë të ndotjes,” theksoi Hyseni.
Hidro-biologu Olsi Nika i tha BIRN se duhet bërë një vlerësim paraprak për t’u njohur me nivelin e përqendrimit të ndotjes pas derdhjes së naftës dhe nëse do të jetë nevoja, të pasohet nga një vlerësim i thelluar që nis nga kanali i ndotur deri në detin Adriatik, duke theksuar rrezikun e kontaminimit të puseve që banorët përdorin për ujë apo të kafshëve që kullotin buzë kanalit.
“Hidrokarburet çlirojnë substanca që kanë ndikim negativ në sistemin nervor dhe deri në veshjen e organeve respiratore të bretkosave, sepse është viskoze dhe e dëmshme,” shtoi ai.
Nevojën për një vlerësim të thelluar të ndotjes së shkaktuar nga nafta e kërkon edhe Burhan Dervishaj, i cili ankohet për mungesën e reagimit nga institucionet shtetërore.
“Unë jam i shqetësuar sepse këtu sikur mos me pas qeveri fare, këtu derdhet nafta e nuk e vret mendjen njeri dhe kalojnë pa pushim autobotet nëpër lagje,” tha ai.
“Ne ishim këtu kur erdhën depozitat e naftës, prandaj tani ose të shpërngulemi ne, ose ato,” përfundoi 71-vjeçari.
Publikuar me lejen e autorit.
Publikuar më parë tek Reporter.al.